Ekonomia shqiptare vijoi rritjen në tremujorin e dytë të vitit 2026, me Produktin e Brendshëm Bruto që u zgjerua me 3.61% në terma realë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit, ekonomia u rrit me 0.80%.
Të dhënat e INSTAT u prezantuan nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë një konference për shtyp, ku në fokus ishte ecuria e ekonomisë, investimet, konsumi, tregtia e jashtme dhe treguesit fiskalë.
“Ekonomia shqiptare u rrit me 3.612%, një ecuri në mesataren e rritjes tremujore gjatë gjithë viteve post-pandemi. Kemi pasur rritje të qëndrueshme dhe një konsolidim të mëtejshëm të stabilitetit makroekonomik. Kemi pasur zhvillime pozitive, zgjerim të kërkesës dhe ecuri pozitive të investimeve”, deklaroi Ibrahimaj.
Megjithatë, struktura e rritjes tregon një peshë të konsiderueshme të sektorit publik dhe të taksave. Administrata publike, arsimi dhe shëndetësia, së bashku me taksat neto mbi produktet, dhanë 2.51 pikë përqindje nga rritja totale prej 3.61%, ose rreth 70% të saj.
Administrata publike, arsimi dhe shëndetësia ishin kontribuuesi kryesor i rritjes, me 1.38 pikë përqindje. Aktiviteti në këtë grup u rrit me 12.14% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025.
Taksat neto mbi produktet u rritën me 8.45% dhe kontribuuan me 1.13 pikë përqindje në rritjen e PBB-së.
Tregtia dhe pasuritë e paluajtshme mbajnë ritme të larta
Pas sektorit publik, kontributin më të madh në rritjen ekonomike e dha grupi i tregtisë, transportit, akomodimit dhe shërbimit ushqimor.
Ky grup u rrit me 5.53% në terma vjetorë dhe kontribuoi me 0.98 pikë përqindje në rritjen e PBB-së.
Rritje të fortë vijuan të shënojnë edhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme. Sektori u zgjerua me 7.20% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar dhe dha një kontribut prej 0.36 pikë përqindje.
Ndërtimi, në kontrast, pati një ritëm dukshëm më të ulët. Aktiviteti u rrit me 1.37% në terma vjetorë dhe kontribuoi me vetëm 0.15 pikë përqindje në rritjen e PBB-së.
Edhe industria, energjia dhe uji shënuan një rritje të kufizuar, prej 0.47%, me një kontribut prej 0.05 pikë përqindje.
Informacioni dhe komunikacioni u rritën me 2.58%, ndërsa aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 3.53%.
Bujqësia vijon rënien
Bujqësia, pyjet dhe peshkimi mbeten ndër sektorët me ecurinë më të dobët.
Aktiviteti ra me 2.29% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, duke i hequr rritjes së përgjithshme 0.38 pikë përqindje.
Në rënie ishin edhe aktivitetet profesionale dhe shërbimet administrative, me 2.17%, ndërsa artet, argëtimi, çlodhja dhe aktivitetet e tjera të shërbimit ranë me 2.08%.
Nga një tremujor në tjetrin, ndërtimi dhe bujqësia në rënie
Krahasimi me tremujorin e parë të vitit jep një tjetër panoramë të ekonomisë.
Ndërtimi ra me 0.62%, bujqësia, pyjet dhe peshkimi me 0.67%, ndërsa aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 3.35%.
Rënien më të madhe tremujore e shënuan aktivitetet profesionale dhe shërbimet administrative, me 6.95%.
Në kahun tjetër, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia u rritën me 2.66%. Informacioni dhe komunikacioni u zgjeruan me 2.35%, industria, energjia dhe uji me 1.83%, ndërsa tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 1.79%.
Konsumi rritet më shpejt se investimet
Në anën e shpenzimeve, konsumi vijon të jetë një nga mbështetësit kryesorë të rritjes.
Konsumi final i popullatës u rrit me 4.55% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, ndërsa konsumi final i qeverisë u rrit me 4.15%.
Më i ngadaltë ishte ritmi i investimeve. Formimi bruto i kapitalit fiks u rrit me 1.76% në terma vjetorë.
Edhe në krahasimin tremujor, konsumi i popullatës u rrit me 0.82% dhe konsumi i qeverisë me 1.81%, ndërsa formimi bruto i kapitalit fiks ra lehtë me 0.08%.
Eksportet rriten me 9.78%, importet me 7.55%
Tregtia e jashtme regjistroi ritme më të larta rritjeje gjatë tremujorit të dytë.
Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 9.78% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ndërsa importet u zgjeruan me 7.55%.
Megjithatë, në raport me tremujorin e parë të vitit, importet u rritën më shpejt se eksportet. Eksportet u zgjeruan me 2.33%, ndërsa importet me 4.25%.
Investimet e huaja arrijnë 1.14 miliardë euro
Në konferencën për shtyp, ministrja Ibrahimaj bëri të ditur edhe ecurinë e investimeve të huaja direkte.
Sipas saj, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 fluksi i investimeve të huaja direkte arriti në 1.14 miliardë euro, rreth 50% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Stoku i investimeve të huaja ka arritur në 18.42 miliardë euro.
Struktura e investimeve vijon të jetë e përqendruar ndjeshëm te pasuritë e paluajtshme. Sipas Ibrahimajt, 53.3% e fluksit të investimeve të huaja në gjashtë muajt e parë të vitit ishte e orientuar drejt sektorit të real estate.
Investime janë regjistruar gjithashtu në sektorët financiarë dhe të sigurimit, tregti, energji, informacion dhe komunikacion.
Austria kryeson listën e vendeve për nga fluksi i investimeve të huaja, me 121.9 milionë euro, e ndjekur nga Turqia me 111.6 milionë euro. Ndër vendet me flukse të konsiderueshme janë edhe Italia, Holanda dhe Kosova.
Borxhi zbret në 49% të PBB-së
Një tjetër tregues i prezantuar nga ministrja ishte borxhi publik.
Sipas Ibrahimajt, borxhi është ulur me 5 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, duke zbritur nga 54% në 49% të PBB-së./ekofin.al
