Katër sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare e mbyllën muajin korrik me një rënie të besimit. Më i godituri rezultoi ndërtimi, i ndjekur nga tregtia, shërbimet dhe industria, duke bërë që Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) të ulet me 1 pikë krahasuar me muajin qershor. I vetmi sinjal pozitiv vjen nga konsumatorët, të cilët shfaqën më shumë optimizëm për financat e tyre dhe për perspektivën ekonomike të vendit.
Në pamje të parë, rënia e TNE-së mund të duket e kufizuar, por zhvillimet sipas sektorëve tregojnë një realitet më kompleks. Për herë të parë pas disa muajsh, të gjitha aktivitetet kryesore të biznesit raportojnë një dobësim të klimës ekonomike.
Goditjen më të fortë e mori sektori i ndërtimit, ku treguesi i besimit u ul me 4.6 pikë përqindje. Kompanitë raportojnë rënie të aktivitetit ndërtues dhe të porosive aktuale, ndërkohë që pritjet për rritjen e çmimeve vazhdojnë të mbeten pozitive. Ky është një sinjal kontradiktor: ritmi i aktivitetit po ngadalësohet, por kostot dhe pritjet për çmimet nuk po zbuten.
Edhe tregtia regjistroi një rënie të ndjeshme prej 3.2 pikë përqindjeje, e ndikuar kryesisht nga vlerësimet më pak optimiste për ecurinë e biznesit dhe pritjet më të dobëta për punësimin. Ndërkohë, sektori i shërbimeve humbi 2.4 pikë përqindje, pasi bizneset raportuan rënie si të aktivitetit aktual, ashtu edhe të kërkesës për shërbime.
Industria shfaqi rënien më të lehtë, me 0.8 pikë përqindje, por edhe këtu sinjalet nuk janë inkurajuese. Bizneset industriale janë bërë më pak optimiste për kontratat e eksportit, ndërsa pritjet për prodhimin, punësimin dhe çmimet janë dobësuar krahasuar me muajin paraardhës. Kjo tregon se pasiguritë në tregjet e jashtme vijojnë të ndikojnë drejtpërdrejt mbi prodhimin vendas.
Në kontrast me bizneset, konsumatorët kanë shfaqur një perceptim më pozitiv. Treguesi i besimit konsumator u rrit me 2.2 pikë përqindjeje, duke kaluar mbi mesataren historike. Qytetarët kanë përmirësuar pritjet për situatën financiare të familjeve, për ekonominë e vendit dhe për mundësinë e kryerjes së blerjeve të mëdha, ndërsa pritjet për rritjen e çmimeve janë zbutur.
Ky kontrast mes biznesit dhe konsumatorëve është elementi më domethënës i vrojtimit të Bankës së Shqipërisë. Nga njëra anë, sipërmarrjet po shfaqin më shumë kujdes për investimet, aktivitetin dhe punësimin; nga ana tjetër, familjet po ndihen më të sigurta për të ardhurat dhe fuqinë e tyre blerëse. Nëse kjo tendencë vazhdon, ekonomia mund të mbështetet më shumë tek konsumi i brendshëm, ndërsa investimet private mund të frenojnë ritmin e zgjerimit. /ekofin.al
