Pas një rritje dyshifrore prej 10.5% në vitin 2021, ekonomia e Kosovës pritet të shënojë një rritje më të moderuar, kryesisht si rezultat i tronditjeve në zinxhirin e furnizimit në tregjet globale dhe pasojave të luftës në Ukrainë.
Sipas projeksioneve të fundit të Ministrisë së Financave, ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2022 pritet që të shënojë rritje nominale prej 9.9%, ndërsa në terma realë me rreth 4.4%. Ky vlerësim përbën një rishikim për poshtë nga vlerësimet fillestare, duke reflektuar presionet e rritura inflacioniste nga lufta në Ukrainë, ndërkohë që rreziqet e lidhura me pandeminë janë ulur ndjeshëm. Rritja reale prej 4.4% në vitin 2022 pritet të vijë kryesisht si rezultat i eksporteve neto dhe sektorit publik, veçanërisht shpenzimeve kapitale.
Ndërkohë, ndikimi negativ i presioneve të larta inflacioniste në të ardhurat dhe në besimin e konsumatorëve pritet të çojë në një kontribut negativ të konsumit privat në rritjen reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Po ashtu, investimet private pritet të frenohen si rezultat i rritjes së pasigurisë kombinuar me rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Presionet e larta inflacioniste që karakterizuan pjesën e dytë të vitit 2021 dhe fillimin e vitit 2022, priten të vazhdojnë edhe në muajt në vijim, nxitur nga rritja në çmimet e ushqimeve dhe energjisë, ndërkohë që në pjesën e dytë të vitit pritet normalizimi i kësaj tendence rritëse, duke shënuar një vlerë mesatare prej 6.6% për gjithë vitin 2022.
Sipas dokumentit të Ministrisë së Financave, në periudhën afatmesme (2023-2025), ekonomia e Kosovës pritet të shënojë rritje reale që qëndron mbi mesataren historike të para pandemisë, duke u luhatur rreth vlerës 5.5%, në terma realë.