Në një krahasim orientues të çmimeve në dhjetë vende europiane, Euronews zbuloi se për të blerë një kupë akullore duhet të punohet më gjatë në Greqi, gati tri herë më shumë se në Gjermani.
Bazuar në çmimet e raportuara nga gazetarët e Euronews dhe në anketime të publikuara së fundmi, Mbretëria e Bashkuar kishte çmimin më të lartë krahasues në grupin e analizuar, ndërsa Turqia më të ulëtin.
Në dhjetë vendet e marra në shqyrtim, çmimi orientues i një kupe akulloreje varionte nga rreth 1.15 euro në 4.10 euro.
Çmimet ndryshonin ndjeshëm në varësi të vendndodhjes, llojit të subjektit tregtar, madhësisë së porcionit dhe shijes. Krahasimi ndikohet gjithashtu nga lëvizjet e kursit të këmbimit, kur çmimet konvertohen në euro.
Rezultatet janë orientuese dhe nuk përbëjnë statistika zyrtare kombëtare për çmimet.

Çmimet në zonat turistike lënë shije të hidhur
Megjithëse krahasimi përqendrohet te dyqanet e zakonshme, disa nga çmimet në zonat turistike janë tepër të larta për t’u anashkaluar.
Në pjesën më të madhe të Greqisë kontinentale, një kupë kushton rreth 2.60 euro, ndërsa në ishujt e njohur turistikë çmimi mund të arrijë në 4–6 euro.
Çmimet janë rritur ndjeshëm edhe në destinacionet turistike të Turqisë, ku një kupë kushton 100–120 lira turke, ose afërsisht 1.85–2.20 euro. Ky është një çmim dukshëm më i lartë se niveli i mesëm prej 62.50 lirash në dyqanet e zakonshme të Stambollit.
Në Mbretërinë e Bashkuar, Euronews vëren se të dhënat nuk janë plotësisht të krahasueshme. Blerja e kupave të veçanta në një akullore nuk përfaqëson zakonet tipike të konsumatorëve britanikë, pasi shumica blejnë akullore të buta në kaush ose produkte të paketuara nga automjetet ambulante të akullores.
Një anketë e porositur nga Aldi dhe e realizuar nga OnePoll me 2,000 prindër në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se të anketuarit paguanin mesatarisht 2.65 paund, ose rreth 3.10 euro, për një akullore të blerë nga këto automjete.
Sa minuta punë duhen për të blerë një akullore?
Çmimi më i ulët në euro nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe barrën më të vogël për konsumatorët vendas.
Për të vlerësuar kohën që duhet të punojë një person për të paguar një kupë akulloreje, Euronews Business ndërthuri çmimet e krahasimit me të dhënat për të ardhurat dhe orët e punës.
Për vendet e Bashkimit Europian, të ardhurat vjetore neto u morën nga Eurostat. Treguesi përfaqëson pagën e përllogaritur pas taksave të një personi beqar, pa fëmijë, që fiton 100% të pagës mesatare kombëtare. Të dhënat e krahasueshme për Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar u morën nga OECD.
Euronews i konvertoi të ardhurat vjetore neto në një vlerë të përllogaritur për minutë, duke përdorur të dhënat e Eurostat për orët mesatare të punës. Për Mbretërinë e Bashkuar u përdorën të dhënat e Zyrës Kombëtare të Statistikave.
Përllogaritja është ilustruese. Ajo nuk pasqyron rrethanat individuale tatimore apo ndryshimet në oraret e punës, paga dhe lejet e paguara. Pra, shërben si pikë referimi, por nuk është statistikë zyrtare dhe as matje e financave personale të një individi.
Sa pjesë të ditës së punës kërkon, atëherë, një kupë akulloreje?

Në Gjermani nevojiten rreth 7.4 minuta punë neto. Në Mbretërinë e Bashkuar koha rritet në 9.3 minuta dhe në Belgjikë në 11.4 minuta. Në Itali duhen rreth 13.2 minuta punë, ndërsa në Francë 14.5 minuta.
Turqia, Polonia dhe Spanja renditen pranë njëra-tjetrës, me rreth 15 minuta punë. Treguesi rritet në 16.6 minuta në Portugali dhe arrin në 20.9 minuta në Greqi.
Sipas supozimeve të përdorura në këtë përllogaritje, një punonjësi në Greqi i duhet të punojë pothuajse tri herë më gjatë se një punonjësi në Gjermani për të blerë një kupë akulloreje me çmimin e marrë si referencë.
Inflacioni i akullores nis të shkrihet
Akullorja është shtrenjtuar ndjeshëm në Greqi gjatë viteve të fundit.
Glykos deklaroi për median greke “Ta Nea” se çmimet ishin rritur me rreth 20% që nga viti 2020, kryesisht për shkak të efektit të akumuluar të kostove më të larta të energjisë. Sipas tij, energjia mbetet shqetësimi kryesor i industrisë, ndërsa çmimet e naftës kanë ndikim më të vogël.
Megjithatë, në një intervistë të mëvonshme për ERT News Radio 105.8, Glykos tha se kostot e prodhimit nuk ishin rritur më tej gjatë vitit 2026 dhe se pjesa më e madhe e shtrenjtimeve të fundit kishte ndodhur në vitin 2025.
Kostot e përbërësve ndryshojnë edhe sipas shijes. Sipas Glykos, stikat e cilësisë së mirë mund të kushtojnë nga 40 deri në 80 euro për kilogram, ndërsa shijet standarde, si vanilja dhe luleshtrydhja, nuk kanë shënuar rritje të konsiderueshme. Në çmimin përfundimtar ndikojnë gjithashtu qiratë dhe vendndodhja e dyqaneve.
Të dhënat më të fundit zyrtare për inflacionin tregojnë se presionet mbi çmimet janë zbutur kohët e fundit, megjithëse ndryshimet ndërmjet vendeve mbeten të mëdha.
Indeksi i harmonizuar i Eurostat për akullin, akulloret dhe sorbetot ra me 0.4% në Bashkimin Europian gjatë vitit deri në qershor 2026. Në Eurozonë, rënia ishte 0.2%.
Portugalia regjistroi uljen më të madhe, me 8.3%, e ndjekur nga Suedia me 4.6%, ndërsa Danimarka dhe Luksemburgu shënuan secili rënie prej 2.8%. Çmimet u ulën me 2.6% në Greqi dhe me 2.3% në Belgjikë.
Në skajin tjetër, çmimet u rritën me 7.9% në Lituani, 6.4% në Rumani, 3.8% në Sllovaki dhe 2.6% në Austri. Ndër vendet e përfshira në krahasimin e çmimeve, inflacioni në këtë kategori arriti në 1.2% në Spanjë, 0.8% në Gjermani dhe 0.2% në Poloni. Indeksi ra në Francë, Belgjikë, Greqi dhe Portugali.
Një normë negative vjetore e inflacionit nuk do të thotë se çmimi i akullores është kthyer në nivelin e para vitit 2020. Ajo tregon vetëm se indeksi përkatës i çmimeve ishte më i ulët në qershor 2026 sesa një vit më parë./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
