Qëndra e Studimeve dhe Kërkimeve (SRM) e grupit Intesa Sanpaolo Bank, si edhe Intesa Sanpaolo Bank Albania kanë realizuar një studim në lidhje me “Ekonominë Detare në Shqipëri: një sektor strategjik për vendin në perspektivën e Mesdheut”.
Studimi u realizua nga ekipi kërkimor i drejtuar nga Massimo Deadreis, Drejtor i Përgjithshëm i SRM dhe Alessandro D’Oria, CEO i Intesa Sanpaolo Albania, me përbërjen e Alessandro Panaro dhe Dario Ruggiero nga SRM dhe bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare dhe disa organizatave dhe grupeve kërkimore.

Botimi studimor analizoi rolin e rëndësishëm të sektorit të ekonomisë detare duke sjellë një këndvështrim gjeostrategjik mbi mundësitë që i ofrohen Shqipërisë për të qenë një faktor i rëndësishëm ndërkombëtar në këtë fushë, me ndikim direkt edhe për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit.

Studimi thekson se transporti detar është mjeti kryesor i transportit të mallrave për Shqipërinë (92% e mallrave transportohen përmes detit). Në vitin 2023, rreth 6.8 milionë ton mallra u transportuan përmes transportit detar, me një rritje prej +68.9% krahasuar me vitin 2013 dhe një rritje mesatare vjetore prej +5.4% në periudhën 2013-2023.
Bashkimi Evropian e ka përfshirë Shqipërinë në Projektin TEN-T për Ballkanin Perëndimor, me qëllim përmirësimin e rrjetit infrastruktoror. I gjithë rajoni i Ballkanit mund të përfitojë nga kjo. Shqipëria është e përfshirë në 10 projekte, 2 nga të cilët kanë të bëjnë me sistemin portual të saj.
Shqipëria synon të modernizojë dhe të zgjerojë 4 portet kryesore (Durrës, Shëngjin, Vlorë dhe Sarandë) me ndihmën e financimeve të BE-së, sa i përket rritjes së kapaciteteve përpunuese të mallrave, por edhe të pasagjerëve, si edhe zhvillimin e marinave.

Studimi thekson gjithashtu se Shqipëria është një nga partnerët kryesorë tregtarë përmes detit për Italinë. Ajo renditet në vend të katërt në Evropë, me një volum tregtie prej rreth 3 miliardë euro në vitin 2023. Transporti detar mes Shqipërisë dhe Italisë zë 89% të totalit të shkëmbimeve tregtare.
Studimi përfshin më tej një analizë të sistemeve portuale të Shqipërisë, planet e vendit për t’u zhvilluar më tej në industrinë detare, pozicionin avantazhues të vendit bazuar në treguesit kryesorë logjistikë ndërkombëtarë dhe detarë dhe më tej lidhjet e dedikuara detare mes Shqipërisë dhe Italisë.
Studimi u prezantua në një aktivitet, ku i pranishëm ishte edhe z. Alessandro D’Oria – Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv, Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe Ambasadori i Italisë në Shqipëri, z. Fabrizzio Bucci.
Përgjatë aktivitetit u organizua një panel diskutimi me pjesëmarrjen e aktorëve të rëndësishëm që operojnë në fushën e ekonomisë detare të cilët sollën perspektivën e biznesit/institucionit të tyre në këtë aktivitet. /ekofin.al
