Gjenerata Z po udhëheq ndryshimin në mënyrën se si udhëtarët zbulojnë, rezervojnë dhe ndajnë pushimet e tyre, ndërsa pothuajse gjysma thonë se TikTok është një nga burimet e tyre të frymëzimit për udhëtime.
Dikur — dhe jo edhe aq shumë kohë më parë, duke qenë se jam vetëm një “millennial” — rekomandimet e familjes dhe miqve, së bashku me videot në YouTube apo fotot në Pinterest, ishin ndër burimet kryesore të frymëzimit për udhëtime.
Por gjërat kanë ndryshuar ndjeshëm. Sot, videot e shkurtra në TikTok po ndikojnë gjithnjë e më shumë në vendet ku njerëzit duan të udhëtojnë dhe aktivitetet që zgjedhin të bëjnë jashtë vendit, veçanërisht mes udhëtarëve të Gen Z, të lindur ndërmjet viteve 1997 dhe 2012.
TUI Musement analizoi mënyrën se si rrjetet sociale po ndikojnë në mënyrën se si udhëtarët zbulojnë, rezervojnë, përjetojnë dhe ndajnë pushimet e tyre.
Në studimin e zhvilluar në Spanjë, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar, platforma globale e tureve dhe aktiviteteve zbuloi se pothuajse gjysma, ose 48% e të anketuarve të Gen Z, e përmendën TikTok-un si burim frymëzimi për udhëtime.
Kjo e vendos platformën përpara edhe rekomandimeve nga miqtë dhe familja, të cilat u përmendën nga 43% e të anketuarve.
Sipas TUI Musement, rezultatet tregojnë se përmbajtjet vizuale dhe videot e shkurtra po fitojnë gjithnjë e më shumë ndikim te udhëtarët që kërkojnë destinacione të reja, aktivitete apo ide për pushime.
Në total, më shumë se katër në dhjetë udhëtarë, ose 43%, thanë se një postim apo video që ishte bërë virale i kishte shtyrë ose të rezervonin një udhëtim, ose të merrnin pjesë në një aktivitet.
Ky ndikim ishte veçanërisht i fortë te millennials, ku përqindja arrinte në 52%, madje pak më e lartë se te Gen Z, ku ishte 50%.
Edhe influencerët rezultojnë se kanë një rol të konsiderueshëm. 43% e të anketuarve thanë se krijuesit e përmbajtjes që ndjekin ndikojnë në vendimin se ku do të udhëtojnë dhe çfarë do të bëjnë gjatë pushimeve.
Madje, 27% thanë se kishin shkuar deri aty sa të ndryshonin destinacionin e tyre për shkak të rekomandimit të një influenceri.
“Një imazh ose një video e vetme mund të frymëzojë sot një udhëtim dhe ne kemi rritur vazhdimisht vëmendjen ndaj mënyrës se si mund ta arrijmë dhe angazhojmë më mirë audiencën tonë përmes platformave si Instagram dhe TikTok”, tha Mirco Fiumene, Drejtor Menaxhues për Experiences dhe CMO në TUI Musement.
Por ndikimi i rrjeteve sociale nuk duket se përfundon pasi është zgjedhur destinacioni dhe udhëtari ka mbërritur atje.
Në epokën e “scroll”-it, presioni për të bërë fotografinë perfekte të pushimeve po ndikon edhe në mënyrën se si njerëzit i ndajnë përvojat e tyre. Më shumë se një e treta, ose 37%, ndihen nën presion për t’i bërë udhëtimet e tyre të duken më emocionuese në profilet e rrjeteve sociale.
Te Gen Z, kjo përqindje rritet në pothuajse gjysmën, në 45%.
Për disa udhëtarë, kërkimi i postimit perfekt ndikon edhe në atë që zgjedhin të bëjnë gjatë pushimeve.
Gati katër në dhjetë udhëtarë, ose 39%, thanë se kishin vizituar një pikë të njohur turistike kryesisht për të bërë një fotografi ose për të regjistruar një video.
Ndërkohë, 37% thanë se, të paktën herë pas here, do të preferonin të vizitonin vende të famshme në Instagram sesa destinacione më pak të njohura dhe “të fshehura”.
Kjo ngre edhe një pyetje për mënyrën se si po ndryshon vetë koncepti i pushimeve: a ka ende më shumë rëndësi vendi ku shkon, apo mënyra se si ai do të duket në rrjetet sociale pasi të kesh mbërritur atje?
