Ditën e sotme në Bankën e Shqipërisë u nënshkrua partneriteti i ri ndërmjet shtetit, sistemit bankar dhe sipërmarrjes shqiptare për Programin Kombëtar të Financimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një nismë për të mbështetur bizneset shqiptare, për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe për të krijuar më shumë mundësi për sipërmarrësit e e vegjël.
Kryeministri Rama u shpreh se kjo është një ndërmarrje shumë e rëndësishme për rritjen e kapacitetit ekonomik.
“Jo për formalitet, por për sinqeritet, falëndëroj të gjithë bankat dhe bordin e Bankës së Shqipërisë për angazhimet dhe diskutimet që kemi pasur në arritjen e kësaj dite të shënuar për sipermarrjen shqiptare. Dje presidentja e bankës europiane të investimeve ka vituar për herë të parë Shqipërinë në nënshkrimin me një bankë private dhe mendoj se kjo duhet të ndiqet edhe nga bankat e tjera të nivelit të dytë.
Është një marrëveshje që shkon në të njëjtin shtrat të marrëveshjes së sotme, me qëllim për të investuar ndërmarrjet e bizneseve të vogla, që janë një kapacitet i madh. Kam parë vetë ndërmarrke të shqiptarëve dhe shqiptareve të kthyer nga jashtë, me qëllimin për të bërë diçka domethënëse në komunitet dhe për të punësuar familjen dhe njerëzit përreth dhe kanë qenë eksperianca të jashtëzakonshme dhe preskëse.
Kam parë se me një mbështetje nga ana jonë, ata ndërmarrje mund të rriten dhe të japin kontribut të madh në ekonominë tonë. Në fund të çdo bisede problemi ka qenë financimi i aksesueshëm, në pamundësi për të marrë kreditë e zakonshme, që janë të papërballueshme nga ata. Ky projekt lindi pëqr bujqësinë dhe tashmë është zgjeruar dhe është shndërruar në një ndërmarrje shumë serioze për mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme.
Pak kohë pas kësaj marrëveshjeje, ata do të kenë mundësinë të aplikjojnë në këtë nismë. Pesë vite më parë, kredia në Shqipëri ka qenë rreth 5 miliardë euro, sot është 10 miliardë euro. Kemi dyfishuar kapacitetin financues ekonomik të Bankave të nivelit të dytë, çka tregon rritje të ekonomisë dhe p[otencial për më tej. Kreditë e këqija janë ulur shumë ndjeshëm dhe nuk janë më kërcënim. 10 vite më parë ishin 25% e totalit. Kjo është një arsye më shumë për të hedhur një hap kurajoz falë bashkëpunimit dhe disponimit total të Bankës së Shqipërisë për ta mbështetur rritjen ekonomike.
Për bizneset e vogla dhe të mesme do të vihet në dispozicion një linjë kredie me interes prej 2-3%. Kjo ndërmarrje është shoqëruar me një garanci sovrane nga shteti shqiptar, që varion nga 30% deri në 70%. Bankat duhet të jenë më kurajoze edhe me sektorin e bujqësisë, ku padyshim risku është më i lartë, por teknologjitë e reja dhe agroturizmi e kanë ulur këtë aspekt.
Unë besoj shumë se edhe një fond granti, që do të vendoset në dispozicion për hartimin e planeve të biznesit dhe për të ndihmuar bizneset për aplikimin, do të vijë si vlerë e shtuar për lehtësimin e marrëdhënies mes subjekteve dhe bankave. Uroj që gurvenatori të na vërë në dispozicion dy zëvendëset e tij për të na ndihmuar. Nuk mund ta mbyll pa i bërë një kompliment mikut tonë turk për shqipen e tij të kolauduar, me minimum risku. E meriton dhënien e pasaportës me një ceremoni dhe me një certifikatë njohjeje për shqipen e pastër. Ju faleminderit”, u shpreh Rama.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se memorandumi i nënshkruar mes qeverisë dhe bankave tregtare synon të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe të rrisë aksesin në financim për biznesin shqiptar.
“Takimi i sotëm, ku jemi mbledhur me përfaqësues të qeverisë dhe bankave tregtare, ka në fokus nënshkrimin e një memorandumi të rëndësishëm, i cili lidhet me zhvillimin ekonomik të vendit dhe mbështetjen që duam t’i japim biznesit për t’u zhvilluar”, u shpreh Ibrahimaj.
Ajo nënvizoi se Shqipëria ka regjistruar një rritje të qëndrueshme ekonomike në vitet e fundit.
“Shqipëria ka shënuar rritje të qëndrueshme ekonomike në nivelet 3,5-4% dhe është vendi në Ballkanin Perëndimor me rritjen më të shpejtë ekonomike”, deklaroi ministrja.
Sipas saj, objektivi i qeverisë është që kjo rritje të vijojë dhe të përshpejtohet përmes mbështetjes së sektorit privat dhe rritjes së investimeve.
“Qëllimi ynë është që kjo rritje të vazhdojë dhe të rritet, duke mbështetur sektorin privat dhe duke nxitur investimet”, tha ajo.
Ibrahimaj theksoi gjithashtu potencialin që ofron procesi i integrimit në Bashkimin Evropian për bizneset shqiptare.
“Sot kemi një potencial të madh nga procesi i anëtarësimit në BE dhe krijimi i kushteve që biznesi shqiptar të përshtatet me tregun e BE-së me mbi 450 milionë banorë. Kjo është një mundësi e madhe, por shoqërohet edhe me sfida për arritjen e standardeve dhe rritjen e eksporteve”, u shpreh ajo.
Duke folur për memorandumin, ministrja bëri të ditur se ai parashikon krijimin e një instrumenti financiar për mbështetjen e bizneseve.
“Qëllimi i memorandumit është ndërtimi i një instrumenti kredie, i mbështetur nga Banka e Shqipërisë me një likuiditet prej 250 milionë euro, që do të vihet në dispozicion përmes sektorit bankar për bizneset shqiptare, me norma më të ulëta interesi”, tha Ibrahimaj.
Ajo shtoi se skema do të mbështetet edhe nga Ministria e Financave përmes një garancie sovrane.
“Ky instrument financiar do të mbështetet nga Ministria e Financave me një garanci sovrane, që do t’u mundësojë bizneseve të marrin kredi me mbulim deri në 70% të kolateralit”, u shpreh ajo.
Sipas Ibrahimajt, ky mekanizëm synon të përfshijë sektorë të ndryshëm të ekonomisë, përfshirë bujqësinë dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
“Kjo mbështetje do të nxisë investimet në asete dhe do të ndihmojë bizneset shqiptare të arrijnë standardet e kërkuara për të qenë konkurruese në tregjet ndërkombëtare”, përfundoi ministrja.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, është shprehur se sektori bankar në vend ka shënuar progres në kreditimin e bizneseve.
Sipas të dhënave, kreditimi për sektorin privat ka arritur në 907 miliardë lekë në mars 2026, nga 575 miliardë lekë pesë vite më parë. Kjo tregon se bankat kanë shtuar ndjeshëm financimin për bizneset dhe familjet. Gjithashtu, gjatë dy viteve të fundit kredia është rritur mesatarisht me rreth 15% në vit.
“Është kënaqësi për mua të marr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të këtij Memorandumi Mirëkuptimi, në kuadër të “Nismës kombëtare për financimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe të fermerëve”. Ky Memorandum synon lehtësimin e shkëmbimit të informacionit dhe të opinioneve midis institucioneve publike dhe sektorit bankar, si një parakusht i nevojshëm për dizenjimin e instrumenteve të duhura për rritjen e aksesit në kredi të këtyre segmenteve të rëndësishme të ekonomisë shqiptare.
Në hyrje të kësaj fjale, dëshiroj të theksoj se sektori bankar shqiptar ka shënuar një progres të dukshëm në drejtim të rritjes së kreditimit. Për ta ilustruar me shifra: portofoli i kredisë për sektorin privat shënoi vlerën e 907 miliardë lekëve në fund të muajit mars 2026, nga 575 miliardë lekë të regjistruar vetëm pesë vite më parë. Po ashtu, kredia për sektorin privat ka shënuar një rritje mesatare vjetore prej rreth 15% gjatë dy viteve të fundit, ose afërsisht 107 miliardë lekë në vit, ndërkohë që kredia e re e dhënë gjatë vitit 2025 ishte rreth 423 miliardë lekë. Aktualisht, kredia bankare përbën një ndër flukset më të mëdha monetare në ekonomi dhe është – me diferencë – instrumenti kryesor i financimit të bizneseve dhe familjeve shqiptare.
Sikundër e kam thënë dhe më parë, këto zhvillime flasin për një përmirësim sasior dhe cilësor të ofertës së kredisë. Për rrjedhojë, sistemi bankar tashmë është shndërruar në një partner gjithnjë e më të besuar të sektorit privat. Ai ofron jo vetëm instrumente të sigurta për ruajtjen e kursimeve të familjeve, por edhe instrumente moderne pagese dhe një ofertë gjithnjë e më të diversifikuar kredie. Ky progres pasqyron rezultatet e punës së Bankës së Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit monetar e financiar të vendit, frytet e reformave të mëdha strukturore që kemi ndërmarrë gjatë viteve të fundit, si dhe rezultatet e punës së vetë industrisë bankare për rritjen e ndërmjetësimit financiar.
Megjithatë, ecuria pozitive e kreditimit gjatë kësaj periudhe përmban në vetvete një ritëm të diferencuar rritjeje ndërmjet bizneseve të kategorizuara sipas madhësisë dhe sektorit ku ato operojnë. Në veçanti, segmenti i ndërmarrjeve të vogla e të mesme – i cili përbën shtyllën kurrizore të ekonomisë shqiptare, duke gjeneruar pjesën dërrmuese të vlerës së shtuar dhe ofruar punësim për pjesën më të madhe të shoqërisë – ka një akses relativisht të ulët në kredi. Për këto arsye, rritja e kredisë për këtë segment duhet konsideruar si një prioritet i rëndësishëm kombëtar. Një akses më i lartë në kredi i SME-ve do t’i hapte rrugë zgjerimit më të shpejtë të potencialeve prodhuese të vendit, rritjes më të shpejtë të produktivitetit total të ekonomisë dhe përmirësimit të mëtejshëm të mirëqenies së shoqërisë.
Në këtë kontekst, prej më shumë se një viti, Banka e Shqipërisë ka miratuar dhe ka vënë në zbatim një Program Financimi për Biznesin e Vogël dhe të Mesëm, i cili synon reduktimin e kostove të kredisë për këtë segment esencial të ekonomisë shqiptare. Paralelisht, Qeveria Shqiptare ka miratuar një Skemë Garancie sovrane, me qëllim uljen e rrezikut të kreditit për operatorët e sektorit bujqësor. Në gjykimin tonë, këto dy instrumente ofrojnë një pikënisje të mirë për adresimin e këtij problemi.
Progresi i bërë gjatë dy viteve të fundit është padyshim një premisë inkurajuese. Megjithatë, duke përfituar nga rasti, dëshiroj t’i bëj thirrje industrisë bankare për të pasur një vëmendje më të madhe ndaj financimit të sektorit të SME-ve, e veçanërisht atij agro. Ky sektor mbart potenciale të pashfrytëzuara për zgjerimin e industrisë bankare, duke kontribuuar në zhvillimin afatgjatë të vendit dhe pa cenuar normat e prudencës. Nga ana tjetër, dëshiroj t’u drejtohem edhe vetë bizneseve të vogla e të mesme, duke i inkurajuar që t’i afrohen bankave dhe t’i konsiderojnë ato jo vetëm si një burim të qëndrueshëm dhe me kosto të ulët financimi, por edhe si një konsulent të vlefshëm financiar dhe partner të besueshëm zhvillimi.
Në mbyllje, duke përshëndetur pjesëmarrësit në këtë tryezë, dëshiroj të shpreh bindjen time se ky Memorandum Bashkëpunimi do të kontribuojë pozitivisht për hartimin e politikave më efikase në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.”


