Javën e ardhshme do të prezantohet një portal i dedikuar i programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, i cili do të jetë i ndërlidhur me platformën e-Albania dhe do t’u mundësojë bizneseve të përgatisin më lehtë dokumentacionin për aplikimin për kredi, si dhe të ndjekin në kohë reale ecurinë e procesit.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se portali do të shërbejë si një pasqyrë e procesit të aplikimit, duke u dhënë bizneseve mundësinë të informohen në çdo moment se në çfarë faze ndodhet aplikimi i tyre.
“Portali do të ndihmojë biznesin në përgatitjen e dokumentacionit për aplikimin për kredi. Ai do të jetë i lidhur me platformën e-Albania dhe do të shërbejë si pasqyrë e procesit të aplikimit, ku biznesi do të ketë mundësi të informohet në çdo kohë se në çfarë faze është aplikimi”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja bëri të ditur se, në kuadër të programit, po punohet së bashku me bankat dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave për ta bërë skemën sa më të thjeshtë dhe të aksesueshme për bizneset që kërkojnë të investojnë dhe të rriten.
“Përmes këtij programi do të mbështesim çdo biznes shqiptar, në çdo sektor, për të marrë një kredi me normë interesi nga 2 deri në 3%, deri në 10 vite shlyerje dhe me një vlerë maksimale prej 2 milionë eurosh”, tha Ibrahimaj.
Ajo theksoi se stafi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit do të jetë në dispozicion të bizneseve gjatë gjithë procesit, ndërsa do të ofrohet edhe asistencë për hartimin e planeve të biznesit.
