Strategjia “Dubai Cashless” do të thotë që të gjitha pagesat në qytet – si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat – do të kalojnë në formë digjitale. Kjo nismë, e shpallur për herë të parë në tetor 2024, synon të heqë dorë nga kartëmonedhat dhe monedhat, duke i zëvendësuar me pagesa digjitale në të gjithë Emiratet.
Deri në vitin 2026 pritet që rreth 90% e të gjitha transaksioneve të kryhen pa para në dorë, duke gjeneruar potencialisht mbi 8 miliardë dirhemë shtesë në vit për ekonominë. Kalimi në sistem pa para nuk do të thotë se paratë zhduken krejtësisht, por se pagesat do të bëhen kryesisht përmes aplikacioneve bankare dhe kartave të kreditit, që janë mjetet kryesore për të paguar pa kartëmonedha apo monedha.
Strategjia do të vendosë gjithashtu prioritet tek inovacionet në pagesat dixhitale, duke përfshirë zgjidhjet e mbështetura nga inteligjenca artificiale dhe teknologjitë “contactless” për të ofruar edhe më shumë mënyra për të kryer pagesa. Zhvillimi më i fundit është një Memorandum Mirëkuptimi mes Departamentit të Financave të Dubait dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Identitetit dhe Çështjeve të të Huajve në Dubai.
Ky bashkëpunim do të ndihmojë në zgjerimin e kanaleve të pagesave dixhitale, lehtësimin e transaksioneve të sigurta dhe efikase, si dhe në përputhje me strategjinë “Cashless Dubai”. Gjithashtu, partneriteti mes Departamentit të Financave të Dubait dhe Network International synon të sjellë më shumë zgjidhje fintech novatore, të cilat do të bëjnë që pagesat të jenë më të lehta dhe më të shpejta për publikun e gjerë.
Në fillim të vitit 2025, Qendra Financiare Ndërkombëtare e Dubait (DIFC) dhe Departamenti i Financave ranë dakord të organizojnë punëtori të specializuara për të ndihmuar bizneset të bëjnë kalimin drejt pagesave dixhitale. Ky bashkëpunim do të sjellë gjithashtu iniciativa të mbështetura nga AI, që sjellin përfitime për punëtorët, turistët dhe komunitetin në përgjithësi.
Qyteti synon që 100% e dyqaneve të pranojnë pagesa dixhitale dhe që çdo banor i Dubait të ketë mundësi të paguajë në këtë formë. Kështu, të bësh pazar në “souq” me kartëmonedha apo të kërkosh monedha të humbura pas divanit, mund të bëhet gjë e së kaluarës.
Strategjia “Dubai Cashless” u zbulua fillimisht më 1 tetor 2024, pas një mbledhjeje të Këshillit Ekzekutiv të Dubait të kryesuar nga Sheik Hamdan bin Mohammed bin Rashid Al Maktoum, Princi i Kurorës së Dubait.
Në këtë mbledhje u theksua se qyteti synon të bëhet një nga pesë qytetet kryesore në botë pa para fizike. Dubai ka bërë të qartë gjithashtu se dëshiron të ofrojë një gamë të gjerë shërbimesh fintech për njerëzit që jetojnë aty.
Plani për të kaluar në pagesa digjiitale është menduar me fokus tek konsumatorët, ofruesit e shërbimeve të pagesave dhe tregtarët, duke sjellë përfitime më të mëdha në shpejtësi, lehtësi dhe komoditet në të gjithë Emiratet./Përshtati nga Time Out Dubai, ekofin.al
