Ministria e Ekonomisë ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për krijimin dhe funksionimin e dritares së vetme kombëtare për doganat”.
Nisma për një Dritare të Vetme Kombëtare, erdhi pas ratifikimit me ligjin nr. 62/2019, të Marrëveshjes së Huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për “Projektin e Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor, me një qasje programore me shumë-faza” për zbatimin e parashikimit të Komponentit “Lehtësimi i Lëvizjes së Mallrave ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, me aktivitet kryesor krijimin dhe venien në funksionim të Dritares së Vetme Kombëtare për Doganën (DVKD) në Republikën e Shqipërisë”.
Përdorimi i sistemit të Dritares së Vetme Kombëtare për Doganën pritet të sjellë përfitime konkrete si për autoritetet kompetente bashkërenduese të cilat bashkëpunojnë me doganat, ashtu edhe për tregtarët apo operatorët ekonomikë të cilët kryejnë aktivitet në fushën e import-eksportit. Nisma do të garantojë administrim më të mirë të procedurave që ndiqen në kufi; ulje të korrupsionit dhe aktiviteteve të tregtisë së paligjshme; minimizim të kontakteve me personelin dhe reduktim të mundësive për mitdhenie; lëvizje më të shpejtë të mallrave, si dhe rritje të transparencës dhe llogaridhënies të autoriteteve publike të përfshira.
Po kështu pritet zhdoganim më i shpejtë i mallrave, përdorim më efikas dhe produktiv të burimeve, si dhe ulje të kostove, për të dyja palët e përfshira në këtë proçes, përmes përmbushjes elektronikisht të formaliteteve doganore dhe jodoganore.
Projektligji ka gjithashtu për synim të rregullojë disa prej problematikave kryesore për funksionimin e DVKD, të tilla si përpunimi i të dhënave personale brenda mjedisit të DVKD; kategoritë e përpunimit të të dhënave personale dhe përdorimin e informacionit të shkëmbyer përmes DVKD, përgjegjësitë institucionale për përdorimin e sistemit nga autoritetet bashkërenduese.
Për formalitetet jodoganore dhe sistemet përkatëse, Dritarja e Vetme Kombëtare për Doganat ofron një kanal të vetëm komunikimi për operatorët ekonomikë, të cilët e përdorin atë për të përmbushur formalitetet përkatëse doganore dhe formalitetet jodoganore, menaxhimin e sasisë në lidhje me formalitetet jodoganore, aty ku është e aplikueshme, si dhe verifikimin automatik të përputhshmërisë së të dhënave për përmbushjen e formaliteteve jodoganore të lisuara në Shtojcë, bazuar në shkëmbimin e të dhënave në mjedisin e DVKD midis autoriteteve doganore dhe sistemeve përkatëse jodoganore.
Zbatimi i disa prej dispozitave që kanë të bëjnë me dorëzimin e informacionit doganor dhe jodoganor nga operatorët ekonomikë, formularët jodoganorë, deklarata e rieksportit, komunikimi i autoriteteve doganore me operatorët përmes sistemit si dhe harmonizimi i të dhënave pritet të fillojnë në 13 dhjetor 2031. /ekofin.al
