Subjektet që aplikojnë për licenca dhe autorizime për artikujt piroteknikë pritet të paguajnë tarifa të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave. Ndryshimi parashikohet në një projektligj që ndërhyn në ligjin nr. 73/2021 “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e artikujve piroteknikë”, pasi legjislacioni aktual nuk kishte krijuar bazë të posaçme ligjore për tarifimin e aplikimeve.
Projektligji nuk përcakton ende sa do të jetë tarifa për bizneset apo subjektet e tjera që kërkojnë licencë ose autorizim. Ai i jep Këshillit të Ministrave kompetencën për të vendosur më pas nivelin e saj, ndërsa relacioni argumenton se pagesat duhet të mbulojnë kostot administrative të shqyrtimit të aplikimeve, si dhe shpenzimet që lidhen me inspektimet dhe kontrollet e kryera nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve.
Ndryshimi vjen për të korrigjuar një boshllëk të krijuar pas miratimit të ligjit të vitit 2021. Sipas relacionit shoqërues, ligji nr. 73/2021 nuk përfshiu dispozita specifike për tarifat që paguanin subjektet për pajisjen me licenca dhe autorizime. Para hyrjes së tij në fuqi, këto tarifa aplikoheshin mbi bazën e një vendimi të Këshillit të Ministrave, por ky akt u shfuqizua automatikisht me hyrjen në fuqi të ligjit të ri.
Në këtë mënyrë, për disa vite kuadri ligjor ka mbetur pa një dispozitë të posaçme që të përcaktonte bazën për aplikimin e tarifave. Ministria e Mbrojtjes argumenton se ndërhyrja është e nevojshme për të garantuar vazhdimësinë e procesit të licencimit dhe autorizimit dhe për të krijuar një bazë të qartë për tarifimin. Ndryshimi është kufizuar vetëm në këtë element të ligjit.
Konkretisht, në nenin 24 të ligjit parashikohet të shtohet një pikë e re, sipas së cilës “tarifat për të mbuluar kostot administrative të trajtimit të aplikimeve për licenca/autorizime caktohen nga Këshilli i Ministrave”. Projektligji ndryshon gjithashtu nenin 35, duke e lidhur atë me dispozitën e re për tarifat.
Një element që mbetet i hapur është pikërisht niveli i pagesave. Dokumentet e publikuara nuk japin shuma konkrete, nuk përcaktojnë nëse tarifat do të ndryshojnë sipas llojit të licencës apo autorizimit dhe as sa do të jetë kostoja shtesë për subjektet. Këto elemente do të duhet të përcaktohen me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave. /ekofin.al
