Projektligji i ri për sektorin e energjisë elektrike i hedhur në konsultim publik nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, nuk prek vetëm çmimet apo konsumatorët, por sjell ndryshime të rëndësishme edhe për raportin mes kompanive energjetike dhe pronës private, si dhe për rregullat e ndëshkimit në treg.
Drafti forcon të drejtat e operatorëve për të ndërtuar dhe mirëmbajtur rrjetin, ndërsa ashpërson edhe masat ndaj shkeljeve.
Për të garantuar furnizimin me energji, kompanitë mund të kërkojnë përdorimin e pronës private për instalimin e linjave, pajisjeve apo strukturave mbështetëse. Kjo përfshin të drejtën e kalimit, përdorimit, servitutit dhe, në raste të caktuara, edhe shpronësimin e pronës.
Më konkretisht, kjo do të thotë se një kompani energjetike mund të vendosë linja mbi ose nën një pronë private, të instalojë pajisje, apo të kryejë punime mirëmbajtjeje.
Drafti parashikon gjithashtu “servitutin ligjor”, që u jep operatorëve të transmetimit dhe shpërndarjes të drejtën të përdorin pronën e të tretëve për rrjetin elektrik, pa qenë e nevojshme një marrëveshje individuale për çdo rast. Kjo përfshin vendosjen e linjave, transformatorëve, ndërhyrjet për mirëmbajtje dhe madje edhe prerjen e pemëve që cenojnë sigurinë e rrjetit.
Sipas dispozitës ligjore, linjat mund të vendosen edhe në zonat e mbrojtura, megjithatë, këto të drejta duhet të respektojnë Kodin Civil dhe, kërkohet miratim paraprak nga autoritetet e njësisë vendore.
Projektligji shkon edhe më tej, duke lejuar përdorimin e përkohshëm të pronës private për instalimin e pajisjeve energjetike dhe, nëse kjo nuk mjafton, hap rrugën për shpronësim në interes publik. Kjo mund të ndodhë për ndërtimin e centraleve, nënstacioneve apo linjave të transmetimit, por vetëm kur zgjidhje të tjera si servituti apo marrëveshja nuk funksionojnë, thekson drafti.
Nga ana tjetër, drafti vendos edhe kufij për përgjegjësinë e operatorëve. Nëse një objekt është ndërtuar pranë rrjeteve elektrike pasi ato kanë ekzistuar, operatorët nuk mbajnë përgjegjësi për dëmet që mund të lindin nga mosrespektimi i distancave të sigurisë.
Paralelisht me këto të drejta të zgjeruara, ligji forcon ndjeshëm edhe sistemin e ndëshkimeve për kompanitë e licencuara. Çdo shkelje e rregullave, që nuk përbën vepër penale, trajtohet si kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) me gjoba që variojnë nga 500 mijë lekë deri në 3% të të ardhurave vjetore të vitit paraardhës.
Lista e shkeljeve është e gjerë dhe përfshin moszbatimin e vendimeve të ERE-s, mosdorëzimin ose vonesën e raportimeve, dhënien e të dhënave të pasakta, mosrespektimin e tarifave dhe kostove, mungesën e investimeve të planifikuara, si dhe shkeljen e standardeve të cilësisë së furnizimit. Po ashtu, penalizohen edhe rastet kur kompanitë nuk lejojnë aksesin e palëve të treta në rrjet apo nuk publikojnë informacionin për tarifat dhe kushtet.
Në rastet më të rënda, kufiri i gjobave rritet ndjeshëm. Për operatorët e mëdhenj, si ata të transmetimit apo ndërmarrjet e integruara, gjoba mund të arrijë deri në 10% të xhiros vjetore.
Ligji parashikon edhe gjoba progresive ditore, që rriten për çdo ditë vonese. Nëse një kompani nuk zbaton një vendim të ERE-s, ajo mund të paguajë 0.1% të xhiros mesatare ditore për çdo ditë vonesë. Për mospagesën e detyrimeve rregullatore ndaj ERE-s, kjo rritet në 0.2% në ditë.
Megjithatë, drafti lë hapësirë edhe për lehtësim të penaliteteve. Gjobat mund të ulen me 50% nëse kompania e deklaron vetë shkeljen, me një të tretën nëse bashkëpunon në hetim dhe me 40% nëse merr masa për të korrigjuar dëmin e shkaktuar.
Vendimet e ERE-s për gjobat janë titull ekzekutiv, çka do të thotë se mund të zbatohen menjëherë përmes përmbarimit, ndërsa të gjitha gjobat derdhen në buxhetin e shtetit. /ekofin.al

