Ministria e Bujqësisë ka hedhur në konsultim publik një draft të ri për mbarështimin racor, tregtimin dhe hyrjen në vend të kafshëve të racës dhe produkteve të tyre gjerminale”, i cili synon krijimin e një kuadri të unifikuar për rregullat zooteknike e gjenealogjike, tregtinë dhe hyrjen në territor të kafshëve të racës, si dhe për produktet e tyre gjerminale, si sperma, ovocitet dhe embrionet.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme është formalizimi i të gjithë zinxhirit të informacionit për kafshën.
Projektligji parashikon që kafshët e racës të regjistrohen në libra ose regjistra race dhe që përzgjedhja të mbështetet në testimin e performancës dhe vlerësimin gjenetik. Kjo do të thotë se për mbarështimin nuk do të mjaftojë vetëm identifikimi i kafshës si pjesë e një race; të dhënat mbi prejardhjen, performancën dhe karakteristikat gjenetike do të marrin një rol të drejtpërdrejtë në proces.
Në këtë sistem, RUDA mbetet baza e identifikimit të kafshëve, përmes numrit unik të matrikullit. Regjistri Kombëtar i të Dhënave Zooteknike do të lidhet me këtë identifikues dhe do të ndërthurë të dhënat e identifikimit me librat e racës, testimin e performancës dhe vlerësimin gjenetik.
Në praktikë, kjo krijon mundësinë që historia zooteknike e një kafshe të jetë më e gjurmueshme: nga identifikimi dhe prejardhja, te rezultatet e performancës dhe vlera e saj gjenetike.
Projektligji i jep rol edhe laboratorëve të akredituar, publikë ose privatë, të cilët mund të kryejnë analiza ADN-je dhe përcaktimin e prejardhjes, si dhe analiza të tjera të nevojshme për zbatimin e sistemit.
Kjo është një nga pikat që e zhvendos mbarështimin racor nga një sistem kryesisht dokumentar drejt një sistemi ku të dhënat biologjike dhe gjenetike mund të përdoren për verifikimin e prejardhjes dhe cilësive të kafshëve.
Shoqëritë e racës dhe operacionet racore që kryejnë testime duhet të jenë në gjendje të paraqesin të dhënat e testimit, metodat e përdorura, modelet e analizës dhe parametrat gjenetikë. Në rastet e parashikuara, rezultatet e vlerësimit gjenetik të kafshëve, sperma e të cilave përdoret për inseminim artificial, duhet të bëhen publike dhe të mbahen të përditësuara.
Një tjetër ndryshim është vendosja e një procedure formale për njohjen e shoqërive dhe operacioneve racore.
Shoqatat e mbarështuesve, organizatat e racave dhe organet publike mund të aplikojnë për t’u njohur si shoqëri race, ndërsa për derrat hibridë parashikohet edhe koncepti i operacionit racor, ku përfshihen edhe sipërmarrjet private që veprojnë në sisteme të mbyllura prodhimi. Njohja bëhet nga autoriteti kompetent qendror dhe lidhet me ekzistencën e një programi racor.
Këto subjekte nuk do të kenë vetëm status formal. Ato do të përgjigjen për zbatimin e programeve racore, administrimin e librave dhe regjistrave të racës dhe, sipas rastit, për certifikatat dhe të dhënat zooteknike.
Projektligji parashikon gjithashtu një listë publike të shoqërive dhe operacioneve racore të njohura, ku do të përfshihen të dhëna mbi subjektin, racat ose linjat që mbulohen nga programet, territorin gjeografik të zbatimit dhe, kur është e mundur, informacioni online për programet racore.
Mbarështimi nuk do të shihet thjesht si aktivitet individual i fermerit. Ai do të organizohet përmes programeve racore të miratuara.
Këto programe mund të kenë si objektiv përmirësimin, ruajtjen, krijimin ose ripërtëritjen e një race. Për derrat hibridë, objektivat mund të lidhen edhe me përmirësimin e racës, linjës ose kryqëzimit. Programet duhet të përcaktojnë në mënyrë të detajuar objektivat e përzgjedhjes dhe punës racore.
Shoqëritë racore mund t’u japin palëve të treta disa aktivitete teknike, përfshirë testimin e performancës dhe vlerësimin gjenetik, por përgjegjësia për përputhshmërinë me ligjin mbetet te shoqëria ose operacioni racor.
Projektligji nuk përcakton vetëm detyrime për mbarështuesit. Ai u njeh edhe të drejta konkrete atyre që marrin pjesë në një program racor të miratuar.
Nëse plotësojnë kriteret e përcaktuara, mbarështuesit mund të regjistrojnë kafshët në librat ose regjistrat përkatës të racës, të marrin pjesë në testimin e performancës dhe vlerësimin gjenetik, të pajisen me certifikatë zooteknike dhe të kërkojnë rezultatet e përditësuara të testimit dhe vlerësimit gjenetik kur këto janë të disponueshme.
Pra, sistemi i ri synon që fermeri të mos jetë vetëm përdorues i një shërbimi mbarështimi, por pjesëmarrës në një program ku rezultatet e kafshëve të tij regjistrohen dhe përdoren për përmirësimin e racës.
Një tjetër hallkë e rëndësishme është standardizimi i certifikatave zooteknike.
Për kafshët e racës dhe produktet e tyre gjerminale që hyjnë në Shqipëri dhe synohen për regjistrim në librat ose regjistrat e racës, parashikohet shoqërimi me certifikatë zooteknike të lëshuar nga trupa racore përkatëse ose shërbimi zyrtar i vendit të origjinës, sipas rasteve të parashikuara.
Certifikata nuk do të jetë thjesht një dokument identifikimi. Kur ekzistojnë të dhënat përkatëse, ajo duhet të përmbajë rezultatet e testimit të performancës, rezultatet e përditësuara të vlerësimit gjenetik dhe defektet apo veçoritë gjenetike që lidhen me kafshën ose dhuruesin e produkteve gjerminale.
Kjo e bën certifikatën një instrument të rëndësishëm për transparencën dhe besueshmërinë e tregtisë së kafshëve të racës dhe materialit të tyre riprodhues.
Projektligji vendos rregulla edhe për hyrjen në Shqipëri të kafshëve të racës dhe produkteve të tyre gjerminale.
Lista kombëtare do të plotësohet edhe me trupa racorë të pranuar nga shtetet e tjera. Për subjektet e njohura në BE, projektligji parashikon përdorimin e listave dhe publikimeve zyrtare evropiane si bazë për verifikimin e njohjes, duke kufizuar verifikimin kombëtar kryesisht në kontrollin formal të burimit dhe vlefshmërisë së publikimit.
Në këtë mënyrë synohet të krijohet një kanal më i qartë për hyrjen dhe më pas regjistrimin në Shqipëri të kafshëve të racës ose pasardhësve të prodhuar nga produktet gjerminale të importuara.
Në anën tjetër të sistemit është kontrolli zyrtar.
Operatorët do të duhet t’u japin autoriteteve akses në ambientet, pajisjet, sistemet e menaxhimit të informacionit, kafshët, produktet gjerminale dhe dokumentacionin e nevojshëm për kontrollet. Ata kanë gjithashtu detyrimin të bashkëpunojnë me strukturat kontrolluese.
Nëse konstatohen mospërputhje, autoriteti kompetent mund të kërkojë korrigjimin e tyre dhe marrjen e masave për të parandaluar përsëritjen. Në varësi të shkeljes, parashikohen masa që mund të prekin drejtpërdrejt aktivitetin racor, përfshirë shtyrjen e regjistrimit të kafshëve, ndalimin e përdorimit të kafshëve ose produkteve gjerminale për punë racore dhe pezullimin e lëshimit të certifikatave zooteknike.
Kështu, certifikimi dhe regjistrimi nuk do të jenë procese të pakushtëzuara: ato lidhen drejtpërdrejt me përputhshmërinë e operatorëve me rregullat e reja.
Një nga komponentët më strategjikë të projektligjit është ruajtja e racave autoktone dhe diversitetit gjenetik.
Autoriteti kompetent qendror do të identifikojë dhe publikojë listën kombëtare të racave autoktone dhe/ose racave në rrezik dhe programet për ruajtjen e tyre.
Projektligji hap rrugë edhe për skema financiare për mbarështuesit dhe shoqëritë apo operacionet racore që zbatojnë programe ruajtjeje. Mbështetja mund të përfshijë ruajtjen “in situ” dhe “ex situ”, bankat gjenetike dhe ruajtjen kriogjenike të produkteve gjerminale, si dhe promovimin e produkteve që lidhen me racat autoktone.
Kriteret e përfitimit, niveli i mbështetjes dhe mënyra e monitorimit do të përcaktohen më tej me vendim të Këshillit të Ministrave. /ekofin.al
