Qeveria ka përgatitur një projektligj të ri për investimet, i cili synon të ndryshojë mënyrën e mbështetjes së investitorëve vendas dhe të huaj, duke parashikuar lehtësi për përdorimin e pronave shtetërore, financimin e infrastrukturës, procedura administrative të përshpejtuara dhe kontroll më të fortë mbi investimet e huaja në sektorët strategjikë.
Projektligji “Për investimet në Republikën e Shqipërisë”, i publikuar për konsultim publik më 21 tetor 2026, parashikon bashkimin në një kuadër të vetëm ligjor të dispozitave që aktualisht rregullojnë investimet e huaja dhe investimet strategjike.
Me miratimin e tij synohet shfuqizimi i ligjit të vitit 1993 “Për investimet e huaja” dhe ligjit nr. 55/2015 “Për investimet strategjike”, duke krijuar një sistem të ri për identifikimin e zonave me potencial zhvillimi, përzgjedhjen e investitorëve dhe dhënien e mbështetjes shtetërore.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me përdorimin e pasurive shtetërore për investime private, për të cilat projektligji parashikon pagesa të diferencuara sipas potencialit ekonomik të zonës ku zhvillohet projekti.
Prona shtetërore me pagesa të reduktuara sipas zonave
Sipas projektligjit, territori do të klasifikohet në tri kategori: zona me potencial të lartë zhvillimi, zona me potencial të mesëm dhe zona me potencial të ulët zhvillimi.
Klasifikimi do të miratohet nga Komiteti i Nxitjes së Investimeve, me propozim të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), duke marrë në konsideratë treguesit ekonomikë, punësimin, infrastrukturën, karakteristikat demografike dhe potencialin e zhvillimit të territorit.
Në varësi të kësaj ndarjeje, investitorët mund të përfitojnë nga vënia në dispozicion e pasurive të paluajtshme shtetërore me pagesa të reduktuara kundrejt vlerave të përcaktuara sipas referencave ligjore.
Për zonat me potencial të lartë zhvillimi parashikohet pagesa në masën 100% të vlerës së përcaktuar, ndërsa për zonat me potencial të mesëm pagesa në masën 50%.
Ky mekanizëm synon të orientojë kapitalin privat drejt zonave ku investimet mund të krijojnë më shumë punësim dhe zhvillim ekonomik.
Krijohet fondi i pronave shtetërore për investitorët
Një tjetër risi është krijimi i Fondit të Nxitjes së Investimeve, në të cilin do të përfshihen pasuri të paluajtshme shtetërore të identifikuara si të përshtatshme për zhvillimin e projekteve private.
Fondi do të përbëhet nga prona të kategorive të ndryshme, të administruara nga institucionet dhe entet publike, të cilat mund të vihen në dispozicion të investimeve të përzgjedhura në sektorë ekonomikë me interes kombëtar.
Përpara përfshirjes në fond, pasuritë do t’i nënshtrohen inventarizimit, verifikimit të statusit juridik dhe procedurave të konsolidimit të pronësisë.
Lista e pasurive të përfshira në fond parashikohet të publikohet në faqen zyrtare të AIDA-s, ndërsa rregullat e administrimit dhe përdorimit të tyre do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Investitorët mund të marrin edhe prona shtetërore pa konkurrim
Projektligji përmban edhe një dispozitë të veçantë për investimet që zhvillohen në prona private, por që kanë nevojë për përdorimin e pronave shtetërore kufitare.
Sipas nenit 43, kur një projekt ka nevojë për akses, lidhje me infrastrukturën ose përdorimin e një pasurie shtetërore në funksion të investimit, investitori mund të kërkojë vënien e saj në dispozicion, me kusht që sipërfaqja e kërkuar të mos tejkalojë 20% të sipërfaqes së pronës private.
Në këto raste, pasuria shtetërore mund të vihet në dispozicion pa procedurë konkurruese, pasi Agjencia Shtetërore e Kadastrës të ketë certifikuar statusin e saj juridik.
Ky parashikim përbën një përjashtim nga parimi i përgjithshëm i konkurrimit publik dhe synon të zgjidhë pengesat që mund të krijohen nga mungesa e aksesit apo lidhjes infrastrukturore të projekteve private.
Shteti mund të bëhet bashkëinvestitor me biznesin
Ligji i ri parashikon gjithashtu mundësinë që shteti shqiptar të marrë pjesë drejtpërdrejt në projekte investimi, kur kjo justifikohet nga interesi publik dhe ndikimi i pritshëm në zhvillimin ekonomik.
Pjesëmarrja shtetërore mund të realizohet përmes vënies në dispozicion të pronave, aseteve, të drejtave pasurore, infrastrukturës, mjeteve financiare apo formave të tjera të kontributit.
Kjo pjesëmarrje do të miratohet nga Komiteti i Nxitjes së Investimeve dhe mund të realizohet përmes ministrive përgjegjëse, institucioneve të tjera publike ose Korporatës Shqiptare të Investimeve.
Projektligji përcakton se të drejtat dhe detyrimet e shtetit si bashkëpjesëmarrës do të formalizohen përmes marrëveshjeve përkatëse.
Investitorët mund të përfitojnë edhe përdorimin e brigjeve
Në paketën e masave mbështetëse përfshihet edhe e drejta e përdorimit të brigjeve të deteve, liqeneve dhe lumenjve për investimet e përzgjedhura.
Kjo e drejtë do të jepet me vendim të Komitetit të Nxitjes së Investimeve, pas marrjes së mendimit të institucioneve përgjegjëse dhe në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e bregdetit, mjedisin dhe turizmin.
Vendimi duhet të përcaktojë sipërfaqen, koordinatat, qëllimin dhe afatin e përdorimit, ndërsa marrëveshja do të lidhet mes investitorit dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.
Një kufizim i rëndësishëm është se përdorimi i brigjeve si stacione plazhi apo për shërbime turistike do të mund të fillojë vetëm pasi investimi të jetë realizuar dhe struktura akomoduese ose objekti turistik të jetë vënë në funksion.
Kontroll i ri mbi investimet e huaja, gjoba deri në dyfishin e investimit
Për herë të parë, projektligji synon të krijojë një mekanizëm të posaçëm shqyrtimi të investimeve të huaja për arsye të sigurisë kombëtare dhe rendit publik.
Kontrolli do të përfshijë investimet që lidhen me infrastrukturën kritike, energjinë, transportin, komunikimet, teknologjitë e avancuara, sigurinë kibernetike, mbrojtjen, përpunimin e të dhënave dhe median.
Për transaksionet që përfshijnë shoqëri me rëndësi strategjike për sistemin kombëtar të mbrojtjes dhe sigurisë, projektligji parashikon detyrimin për të kërkuar autorizim përpara finalizimit të blerjes së aksioneve ose kuotave.
Për shoqëritë e listuara në tregje të rregulluara financiare, autorizimi kërkohet kur pjesëmarrja e blerësit tejkalon 3%, si dhe në pragjet e tjera të përcaktuara nga ligji.
Për shoqëritë e palistuara, pragu fillestar është mbi 10% të kapitalit, me autorizime të tjera kur tejkalohen nivelet 15%, 20%, 25% dhe 50%.
Në rast të mosrespektimit të detyrimeve të deklarimit apo paraqitjes së informacioneve të rreme, parashikohen gjoba administrative nga 5 mijë deri në 100 mijë euro.
Për shkelje më të rënda, si realizimi i një investimi pavarësisht ndalimit të tij, marrja e miratimit përmes informacionit të rremë apo mosrespektimi i masave kufizuese, gjoba mund të arrijë deri në dyfishin e vlerës së investimit.
Çfarë ndodh me investitorët strategjikë ekzistues?
Projektligji parashikon dispozita kalimtare për subjektet që kanë përfituar ose kanë aplikuar për statusin e investitorit strategjik përpara hyrjes në fuqi të ligjit të ri.
Këto subjekte do të vijojnë të trajtohen sipas procedurave dhe dispozitave të ligjit nr. 55/2015, pavarësisht shfuqizimit të tij për aplikimet e reja.
Kjo synon të ruajë vazhdimësinë juridike për projektet ekzistuese dhe për aplikimet që ndodhen në proces shqyrtimi.
Qeveria pranon përqendrimin e investimeve strategjike në turizëm
Në relacionin shpjegues që shoqëron projektligjin, qeveria paraqet edhe një bilanc të zbatimit të ligjit aktual për investimet strategjike.
Sipas dokumentit, gjatë periudhës 2016–maj 2025, gjithsej 54 projekte kanë përfituar statusin e investimit ose investitorit strategjik.
Nga këto, 42 projekte, ose rreth 78% e totalit, i përkasin sektorit të turizmit, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë në bujqësi, energji, zona të zhvillimit ekonomik dhe industri.
Relacioni evidenton se përqendrimi i investimeve në turizëm ka kufizuar diversifikimin e ndikimit ekonomik, veçanërisht në sektorë si prodhimi, teknologjia, inovacioni dhe industria.
Dokumenti pranon gjithashtu se jo të gjitha projektet strategjike kanë ecur sipas parashikimeve. Një pjesë janë realizuar, disa vijojnë zbatimin, ndërsa të tjera kanë kërkuar shtyrje afatesh ose nuk janë realizuar.
Sipas relacionit, përvoja e deritanishme ka evidentuar nevojën për transparencë më të lartë, monitorim të investimeve dhe vlerësim më të kujdesshëm të kostove, përfitimeve dhe rreziqeve që mbart mbështetja shtetërore.
Në këtë kuadër, projektligji i ri synon të zëvendësojë modelin aktual të investimeve strategjike me një sistem më të gjerë të nxitjes së investimeve, ku mbështetja shtetërore lidhet me potencialin ekonomik të territorit, sektorin e aktivitetit dhe procedurat e përzgjedhjes. /ekofin.al
