Informacioni i klasifikuar do t’i nënshtrohet disa rregullimeve të reja të propozuara nga Këshilli i Ministrave.
Projektligji në konsultim synon rregullimin e kuadrit ligjor për kryerjen e mbikëqyrjes shtetërore, nëpërmjet inspektimeve, duke parashikuar aktin nënligjor specifik, i cili përcakton rregullat e detajuara të kryerjes së këtyre procedurave.
Sipas draftpropozimit, ligji për inspektimet nuk do të zbatohet më për informacionin e klasifikuar, pasi procedurat e inspektimit, konstatimit të shkeljeve, shqyrtimit dhe ankimit do të përcaktohen me rregullore të posaçme që do të miratohet nga Këshilli i Ministrave.
Kjo gjë përbën një ndryshim thelbësor për mbikëqyrjen, duke i dhënë ekzekutivit kontroll më të drejtpërdrejtë mbi mënyrën si kryhen inspektimet dhe trajtohen kundërvajtjet administrative në këtë fushë.
Në të njëjtën linjë, forcohet edhe mekanizmi i sanksioneve. Vendimi për kundërvajtjen administrative i marrë nga AKSIK do të ketë fuqi si titull ekzekutiv, çka do të thotë se ai bëhet menjëherë i zbatueshëm pa pasur nevojë për procedura të tjera shtesë, duke rritur efektivitetin e ndëshkimeve për shkeljet e sigurisë.
Ndryshimet prekin edhe përkufizimet dhe autoritetet përgjegjëse. Përkufizimi i “autoritetit klasifikues” zgjerohet, duke përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë Presidentin e Republikës dhe Kryeministrin, si dhe duke saktësuar se titullarët e institucioneve e ushtrojnë këtë të drejtë vetëm me autorizim të Kryeministrit.
Gjithashtu, parashikohet që në raste të veçanta dhe me afat të kufizuar, edhe funksionarë të lartë të institucioneve mund të ushtrojnë këtë kompetencë, me miratim paraprak dhe procedurë të përcaktuar.
“3. “Përjashtimisht, në raste të veçanta dhe me afat të kufizuar, funksionari i lartë i një institucioni që prodhon informacion të klasifikuar mund ta ushtrojë të drejtën e “Autoritetit klasifikues”, vetëm më miratim të Kryeministrit pas kërkesës së arsyetuar të titulllarit të institucionit nëpërmjet AKSIK. Afati përacaktohet në autorizim. Në këtë rast AKSIK-u i kthen përgjigje institucionit brenda 7 (shtatë) ditëve kalendarike. Rregulla të detajuara për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Përkufizimi i “sekretit shtetëror” zgjerohet gjithashtu, duke përfshirë jo vetëm dokumentet dhe materialet, por çdo informacion, pavarësisht formës apo mënyrës së transmetimit, duke reflektuar zhvillimet teknologjike dhe format e reja të komunikimit.
Ndërkohë, shtohen dispozita të reja që lidhen me deklasifikimin dhe menaxhimin në situata emergjente. Institucioneve që prodhojnë informacion të klasifikuar u jepet, në raste të caktuara, e drejta për ta deklasifikuar atë edhe kur nuk janë autoritete klasifikuese. Po ashtu, në përfaqësitë diplomatike jashtë vendit parashikohet mundësia e shkatërrimit emergjent të informacionit të klasifikuar në situata të jashtëzakonshme, kur evakuimi nuk është i mundur.
Ndryshime janë bërë edhe në trajtimin e shkeljeve, ku riformulohet një nga kundërvajtjet për transportimin fizik të informacionit të klasifikuar, duke e bërë më të qartë fokusin te shkelja e rregullave përkatëse.
Në lidhje me procedurën e ankimit, shtohet një hallkë e ndërmjetme administrative përpara se çështja të shkojë në gjykatë. Ndryshe nga parashikimi aktual i ligjit në nënin 78, ku ankimi bëhej drejtpërdrejt në gjykatë, tashmë parashikohet ngritja e një strukture të posaçme brenda AKSIK për shqyrtimin e ankesave ndaj akteve të konstatimit të trupës së inspektimit.
Kjo do të thotë se subjektet e sanksionuara duhet fillimisht të ndjekin një procedurë administrative rishqyrtimi brenda institucionit, sipas rregullave që do të miratohen nga Këshilli i Ministrave, dhe vetëm më pas vijohet me të drejtën për t’iu drejtuar gjykatës kompetente kundër masës së vendosur. Ky ndryshim synon të filtrojë dhe trajtojë një pjesë të mosmarrëveshjeve në nivel administrativ, përpara se ato të kalojnë në sistemin gjyqësor.
Këshilli i Ministrave do të nxjerrë aktet nënligjore brenda një periudhe njëvjeçare nga hyrja në fuqi e ndryshimeve. /ekofin.al
