Ministria e Energjisë ka hedhur në konsultim publik një nga projektligjet më të rëndësishme për transformimin e sektorit energjetik, “Për sektorin e energjisë elektrike”, një nismë që synon të riformatojë tërësisht mënyrën se si funksionon tregu i energjisë në vend.
Projektligji synon liberalizimin e tregut, rritjen e konkurrencës dhe integrimin e plotë me tregun evropian të energjisë.
Qëllimi është garantimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike, përmes krijimit të një tregu funksional dhe konkurrues, duke vendosur në qendër interesat e konsumatorëve, transparencën e çmimeve dhe mbrojtjen e mjedisit.
Në këtë kuadër, një nga shtyllat kryesore të projektligjit është përafrimi i plotë me paketën “Clean Energy Package” të Bashkimit Evropian.
Projektligji sjell një ndryshim të rëndësishëm të modelit të tregut, duke kaluar nga një sistem më i centralizuar dhe i dominuar nga ndërhyrja shtetërore, drejt një tregu të liberalizuar, ku konkurrenca dhe sinjalet e tregut do të luajnë rol kyç në përcaktimin e çmimeve dhe investimeve. Në këtë model të ri, roli i shtetit zhvendoset nga operator aktiv në garantues të rregullave dhe mbikëqyrës të funksionimit të tregut, duke krijuar hapësira më të mëdha për aktorët privatë dhe investimet.
Gjithashtu parashikohet transformimi i rolit të konsumatorit. Për herë të parë, projektligji e trajton konsumatorin jo vetëm si përfitues të shërbimit, por si pjesëmarrës aktiv në treg. Koncepte të reja si “klienti aktiv”, “komunitetet e energjisë” dhe “ndarja e energjisë” krijojnë mundësi që qytetarët dhe bizneset të prodhojnë, konsumojnë dhe madje të tregtojnë energjinë e tyre.
Nga ana tjetër, projektligji vendos bazat për zhvillimin e tregjeve të organizuara të energjisë elektrike, duke përfshirë tregun e ditës në avancë, tregun brenda ditës dhe tregun e balancimit. Këto mekanizma do të mundësojnë formimin transparent të çmimeve dhe optimizimin e prodhimit dhe konsumit, duke e bërë tregun më efikas dhe më të parashikueshëm. Për më tepër, përfshirja e tregut të derivativëve krijon mundësi për menaxhimin e rrezikut nga luhatjet e çmimeve.
Në aspekt i rëndësishëm i projektligjit lidhet me fleksibilitetin e sistemit dhe integrimin e burimeve të rinovueshme. Duke marrë parasysh rritjen e peshës së energjisë së prodhuar nga burime të paqëndrueshme si dielli dhe era, projektligji parashikon mekanizma të avancuar për balancimin e sistemit, përfshirë energjinë dhe kapacitetin e balancimit, depozitimin e energjisë dhe redispeçerimin.
Relacioni shoqërues nënvizon gjithashtu rëndësinë e teknologjive të reja, si matësit inteligjentë, depozitimi i energjisë dhe elektromobiliteti, të cilat janë integruar në kuadrin ligjor si pjesë e tranzicionit drejt një sistemi energjetik të digjitalizuar dhe të qëndrueshëm.
Në aspektin institucional, projektligji forcon ndjeshëm rolin e Entit Rregullator të Energjisë (ERE), duke i dhënë kompetenca më të gjera në hartimin e rregullave të tregut, monitorimin e konkurrencës dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Ndërkohë, ndarja më e qartë midis legjislacionit primar dhe atij dytësor krijon një sistem më fleksibël dhe të adaptueshëm ndaj zhvillimeve të tregut, thekson drafti.
Projektligji vendos rregulla për alokimin e kapaciteteve ndërkufitare dhe bashkëpunimin rajonal, duke synuar që Shqipëria të bëhet pjesë aktive e tregut të përbashkët të energjisë në rajon dhe në Evropë. Ky integrim pritet të rrisë sigurinë e furnizimit dhe të përmirësojë efikasitetin e tregut. /ekofin.al

