Banka e Shqipërisë ka nxjerrë për konsultim publik një nga projektligjet më të rëndësishme për sektorin financiar të viteve të fundit, i cili synon të transformojë kuadrin ligjor të bankave dhe institucioneve të kreditit në Shqipëri, duke e afruar pothuajse plotësisht me standardet e Bashkimit Europian. Projektligji “Mbi ushtrimin e veprimtarisë së institucioneve të kreditit dhe mbikëqyrjen e kujdesshme të tyre” zëvendëson praktikisht arkitekturën ekzistuese të mbikëqyrjes bankare me një model të harmonizuar me direktivat më të fundit europiane.
Drafti përafron legjislacionin shqiptar me Direktivën 2013/36/BE dhe një seri ndryshimesh të mëvonshme europiane që lidhen me mbikëqyrjen prudenciale, qëndrueshmërinë operacionale digjitale, menaxhimin e rrezikut, degët e vendeve të treta, si dhe rreziqet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG).
Sipas projektligjit, objektivi kryesor është vendosja e rregullave të reja për krijimin, licencimin, funksionimin dhe likuidimin e institucioneve të kreditit, si edhe forcimi i kompetencave të Bankës së Shqipërisë në mbikëqyrjen prudenciale të sektorit bankar dhe financiar. Drafti parashikon gjithashtu rregulla të detajuara për mbikëqyrjen e institucioneve me kapital të huaj që operojnë në Shqipëri, si dhe detyrime të zgjeruara për publikimin e informacionit financiar dhe prudencial nga bankat.
Një nga elementët më të rëndësishëm të projektligjit është forcimi i kuadrit të mbikëqyrjes prudenciale dhe administrimit të rrezikut. Për herë të parë në një ligj të plotë bankar shqiptar, përfshihen në mënyrë eksplicite kërkesa për menaxhimin e rreziqeve mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG), duke reflektuar trendin e ri europian që lidh stabilitetin financiar me ekspozimet ndaj ndryshimeve klimatike dhe faktorëve të qëndrueshmërisë.
Projektligji vendos kërkesa më të forta për kapitalin, likuiditetin dhe administrimin e rrezikut, duke përfshirë raportin e mbulimit me likuiditet, raportin e financimit të qëndrueshëm neto dhe shtesat makroprudenciale të kapitalit për bankat me rëndësi sistemike. Në këtë mënyrë, Banka e Shqipërisë synon të rrisë aftësinë e sistemit bankar për të përballuar goditjet ekonomike apo financiare.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me qeverisjen e brendshme të bankave. Drafti vendos standarde më të forta për përbërjen dhe funksionimin e organeve drejtuese, komitetet e emërimeve dhe shpërblimeve, si dhe kriteret e përshtatshmërisë për administratorët dhe drejtuesit e bankave. Po ashtu, projektligji forcon kontrollin mbi politikat e shpërblimit, një element që në standardet europiane konsiderohet i lidhur drejtpërdrejt me stabilitetin financiar dhe shmangien e marrjes së rreziqeve të tepruara nga drejtuesit bankarë.
Drafti sjell edhe rregulla të reja për degët e bankave nga vendet e treta, duke përcaktuar kushte më të detajuara për licencimin, kapitalin minimal, kërkesat për likuiditet dhe mbikëqyrjen e tyre. Banka e Shqipërisë fiton kompetenca të zgjeruara për të vlerësuar rëndësinë sistemike të këtyre degëve dhe për të kërkuar transformimin e tyre në filiale në rast se paraqesin rrezik për stabilitetin financiar.
Projektligji parashikon gjithashtu një regjim të zgjeruar masash administrative dhe gjobash për shkeljet e kërkesave prudenciale, licencimit apo raportimit, duke i dhënë Bankës së Shqipërisë më shumë instrumente ndërhyrjeje ndaj institucioneve problematike. Në të njëjtën kohë, drafti rregullon më në detaje proceset e likuidimit të detyruar të bankave dhe mbrojtjen e depozituesve, në përputhje me praktikat europiane të menaxhimit të krizave bankare.
Një kapitull i veçantë i dedikohet edhe subjekteve financiare jobanka, përfshirë institucionet që blejnë dhe mbledhin kredi me probleme. Drafti përcakton kërkesa të reja për licencimin, administrimin e rrezikut, mbrojtjen e konsumatorit dhe mbikëqyrjen e tyre nga Banka e Shqipërisë. /ekofin.al

