Banka e Shqipërisë ka nxjerrë për konsultim publik projekt-rregulloren “Për tarifat e shkëmbimit për transaksionet e pagesave të bazuara në kartë”, një nismë që synon uljen e kostove të pagesave elektronike, rritjen e konkurrencës në treg dhe përafrimin e plotë të kuadrit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Projekt-rregullorja, e cila do të qëndrojë në fuqi deri në anëtarësimin e Shqipërisë në BE, vendos për herë të parë tavane të qarta për të ashtuquajturat “tarifa të shkëmbimit” (interchange fees), që janë komisionet e paguara ndërmjet bankës së klientit dhe bankës së tregtarit gjatë realizimit të një pagese me kartë.
Sipas draftit, ofruesit e shërbimeve të pagesave nuk do të mund të aplikojnë tarifa më të larta se 0.2% e vlerës së transaksionit për pagesat e kryera me kartë debiti dhe 0.3% për pagesat me kartë krediti. Këto nivele janë identike me kufijtë e vendosur nga Bashkimi Evropian përmes Rregullores (BE) 2015/751, me të cilën dokumenti shqiptar është përafruar plotësisht.
Ky ndryshim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te bizneset që pranojnë pagesa me kartë, pasi kufizimi i komisioneve ndërbankare mund të ulë kostot e pranimit të kartave dhe të nxisë përdorimin më të gjerë të pagesave elektronike. Në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë synon të shmangë çdo praktikë që mund të anashkalojë këto tavane, duke përcaktuar se çdo formë kompensimi, bonusi apo remunerimi me efekt të ngjashëm me tarifën e shkëmbimit do të konsiderohet pjesë e saj dhe do t’i nënshtrohet kufizimeve të vendosura.
Projekt-rregullorja vendos gjithashtu rregulla të reja për funksionimin e tregut të kartave. Një nga elementët kryesorë është ndarja e aktivitetit të skemave të pagesave me kartë nga subjektet që kryejnë procesimin teknik të transaksioneve. Sipas draftit, këto aktivitete duhet të jenë të pavarura në aspektin organizativ, kontabël dhe vendimmarrës, ndërsa ndalohet subvencionimi i kryqëzuar apo paketimi i çmimeve që mund të kufizojë konkurrencën në treg.
Një tjetër risi lidhet me të drejtën e konsumatorëve për të zgjedhur markën e pagesës që dëshirojnë të përdorin. Rregullorja ndalon çdo praktikë që pengon vendosjen e më shumë se një marke pagese në të njëjtën kartë dhe u kërkon ofruesve të pagesave të informojnë klientët për karakteristikat, kostot dhe sigurinë e secilës markë të disponueshme. Gjithashtu, ndalohet përdorimi i mekanizmave teknologjikë që kufizojnë zgjedhjen e konsumatorit për mënyrën se si do të përpunohet pagesa.
Drafti prek edhe marrëdhëniet mes bankave dhe tregtarëve. Pranuesit e pagesave me kartë do të duhet të raportojnë në mënyrë të veçantë tarifat e aplikueshme për kategori dhe marka të ndryshme kartash, duke rritur transparencën mbi kostot që paguajnë bizneset. Vetëm me kërkesë të shprehur të tregtarit do të lejohet aplikimi i një tarife të kombinuar.
Po ashtu, projekt-rregullorja kufizon praktikën e njohur si “respektoni të gjitha kartat”, duke ndaluar skemat e pagesave dhe ofruesit e shërbimeve të pagesave që të detyrojnë tregtarët të pranojnë automatikisht të gjitha kartat e një skeme të caktuar. Bizneset do të kenë të drejtë të zgjedhin se cilat kategori kartash do të pranojnë, me kusht që konsumatorët të informohen qartë dhe paraprakisht për këtë vendim.
Nisma e Bankës së Shqipërisë vjen në një moment kur përdorimi i pagesave elektronike dhe i kartave bankare po rritet me ritme të shpejta, ndërsa autoritetet po përpiqen të reduktojnë përdorimin e parasë fizike në ekonomi. /ekofin.al


