Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informoi tatimpaguesit që nuk ofrojnë shërbime profesionale se duhet të përditësojnë kodin ekonomik të aktivitetit të tyre për një tatim të drejtë në kuadër të zbatimit të ligjit të ri të tatimit mbi të ardhurat.
“Nëse nuk ofroni shërbime profesionale sipas përcaktimeve të VKM, por ndërkohë figuroni të regjistruar si shërbim profesional, përditësoni ONLINE kodin ekonomik të aktivitetit për tatim të drejtë në zbatim të ligjit të ri të “Tatimit mbi të Ardhurat””, bën të ditur DPD.
Me ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat” nga janari 2024 do të tatohen edhe disa profesioni aktiviteti i të cilëve është me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë. Përfshihen mjekët, juristët, inxhinierët e IT, avokatët, dentistët, etj., që ofrojnë shërbime profesionale, pavarësisht formës ligjore.
Edhe nëse biznesi juaj është i regjistruar prej vitesh për të kuptuar që duhet të paguani tatim duhet të verifikoni kodin ekonomik, i cili duhet të jetë i përshtatur me aktivitetin që ushtroni.
Kodi gjendet në llogarinë personale e-filing, ku deklarohen tatimet. Tatimpaguesi verifikon kodin në listën e publikuar në faqen e tatimeve dhe e ndryshon nëse është i pasaktë.
Tatimet shpjegojnë si bëhet ndryshimi i kodit.
“Tatimpaguesi gjen kodin ekonomik që përputhet me aktivitetin e tij dhe e përditëson në shërbimet online dhe e-Albania në opsionin: aplikim për ndryshim të personit fizik, më pas: aplikim për ndryshime në të dhënat e regjistrimit për shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar (SHPK)”, sqarohet në videon e shpërndarë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Kodi ekonomik për bizneset e profesioneve të lira sipas shërbimeve të ofruara gjendet në listën analitike të vendimit të qeverisë e botuara në Fletoren Zyrtare më dhjetor 2023.
Lista për profesionet e lira është e ndarë në 26 lloje aktivitetesh, dhe përmban 262 profesione.
