René Rexhepi, shefi shqiptar i “Noma”, njoftoi largimin e tij në rrjetet sociale duke thënë: “Pas më shumë se dy dekadash duke ndërtuar dhe drejtuar këtë restorant, kam vendosur të tërhiqem dhe t’u jap mundësi drejtuesve tanë të jashtëzakonshëm ta udhëheqin restorantin në kapitullin e tij të ardhshëm.”
Ish-punonjës të restorantit e kanë akuzuar shefin e kuzhinës për krijimin e një mjedisi pune toksik, që sipas raportimeve në media përfshinte abuzim verbal dhe fizik.
Restoranti i gastronomisë së lartë, me bazë në Danimarkë, ishte duke u përgatitur për një rezidencë të përkohshme në Los Anxhelos, por sponsorë korporativë u tërhoqën pas akuzave për abuzim dhe protestave jashtë vendndodhjes së përkohshme të restorantit.
Në një deklaratë të publikuar në Instagram, Rexhepi tha: “Një ndjesë nuk mjafton; unë marr përgjegjësi për veprimet e mia.”
“Për këdo që pyet se çfarë do të thotë kjo për restorantin, dua ta them qartë: ekipi i Noma sot është më i fortë dhe më frymëzues se kurrë më parë,” shtoi ai.
“Jemi të hapur prej 23 vitesh dhe jam jashtëzakonisht krenar për njerëzit tanë, kreativitetin tonë dhe drejtimin ku po shkon Noma.”
Ai tha se ekipi do të vazhdojë punën në lokacionin e Los Anxhelosit pa praninë e tij.
Rexhepi gjithashtu dha dorëheqjen nga bordi i MAD, një organizatë jofitimprurëse që ai e themeloi në vitin 2011 dhe që sipas faqes së saj zyrtare fokusohet në mbështetjen e personave që hyjnë për herë të parë në industrinë e restoranteve.
Një raport i fundit i New York Times tha se dhjetëra ish-punonjës e kishin akuzuar kuzhinierin për krijimin e një kulture abuzive në kuzhinë dhe një mjedisi pune toksik, që përfshinte kërcënime verbale dhe trajtim fizik të papërshtatshëm në restorantin që ai themeloi në vitin 2003.
“Për të qenë i sinqertë me ju, mendoj se pasojat e heshtjes janë më të këqija sesa të flas dhe të qëndroj krah kolegëve të mi kundër dhunës,” tha Jason Ignacio White, ish-punonjës i Noma.
White tha se kishte qenë dëshmitar i abuzimeve të përhapura gjatë viteve që kishte punuar për shefin e famshëm.
Disa ditë më vonë Rexhepi iu përgjigj akuzave në rrjetet sociale duke thënë: “Për ata që kanë vuajtur nën drejtimin tim, nga gjykimi im i gabuar apo zemërimi im, më vjen thellësisht keq dhe kam punuar për të ndryshuar.”
Ai pranoi se kishte “bërtitur dhe shtyrë njerëz, duke vepruar në mënyra të papranueshme”, dhe shtoi se kishte ndjekur terapi dhe kishte gjetur mënyra më të mira për të menaxhuar zemërimin.
Megjithatë, protesta u zhvilluan jashtë vendndodhjes së përkohshme të Noma në lagjen Silver Lake, ku disa grupe për të drejtat e punëtorëve kërkuan dorëheqjen e Rexhepit.
“Kush dëshiron të hajë në një mjedis abuzimi?” tha Saru Jayaraman nga organizata One Fair Wage për CBS News, partneri mediatik i BBC në SHBA. “Kush dëshiron të hajë ushqim që vjen nga lotët dhe djersa e njerëzve që po vuajnë?”
Disa sponsorë korporativë, përfshirë American Express, u tërhoqën nga seria e darkave 16-javore.
Rezervimet për restorantin e përkohshëm në Los Anxhelos kushtonin 1,500 dollarë për person dhe u shitën brenda pak minutash. /Përshtati nga BBC, ekofin.al
