Në vijim të takimeve të datës 25.1.2024 me Drejtorin e Agjencisë së Doganave dhe Monopoleve Roberto Alesse dhe Komandantin e Përgjithshëm të “Guardia di Finanza” Andrea De Gennaro, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Genti Gazheli të premten u prit në një vizitë zyrtare në selinë e Komandës së Përgjithshme të “Guardia di Finanza”
Kjo është vizita e parë e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave pranë “Guardia di Finanza” dhe z. Gazheli vlerësoi si shumë të rëndësishme asistencën e “Guardia di Finanza” kryesisht në rolin si Polici Financiare në luftën kundër kontrabandës, trafiqeve dhe transportit të parave.
Mes drejtuesve të institucioneve u ra dakord për nënshkrimin së shpejti të një Memorandumi Mirëkuptimi për bashkëpunimin me qëllim:
- të parandalimin e tregtisë së paligjshme kryesisht në rrugë detare,
- shkëmbimin e informacioneve mes dy institucioneve në funksion të analizës së riskut,
- trajnimeve të stafit të doganës shqiptare pranë Akademisë së “Guardia di Finanza” etj..
Bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare dhe italiane në fushën e doganave merr një rëndësi të veçantë pasi Italia është partneri kryesor i Shqipërisë me një volum tregtar në vlerën e rreth 3.5 miliardë euro në vit nga të cilat rreth 1.73 miliardë euro janë eksportet dhe 1.77 miliardë euro importet.
