Është përmbyllur procesi i aktverifikimit për kategorizimin e furrave të bukës dhe pastiçerive në të tria fashat e çmimit të energjisë elektrike prej 7.6 lekë, 9.5 lekë dhe 12 lekë për kwh.
Në total në shkallë vendi sipas kryetarit të Shoqatës së Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave, Gëzim Peshkopia janë rreth 3,800 furra bukë. Peshkopia thotë se 70% e tyre janë kategorizuar te fasha e çmimit prej 9,5 lekë për kwh, ndërsa pjesa tjetër bëjnë pjesë në fashat e çmimit të energjisë elektrike prej 7.6 lekë dhe 12 lekë për kwh. Por, ka edhe subjekte të tjera, sipas tij, që për arsye mungese dokumentacioni ose të gjendjes faktike që nuk janë furra buke, paguajnë 14 lekë për kw.
“Për të gjitha arsyet ose pretendimet si dhe për sahatet e dyta, në furrat që paguajnë 14 lekë, duhet të drejtoheni në Zyrat e Kujdesit ndaj klientit”, – sqarohet nga Shoqata e Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave.
Faturimet e reja që do të kryhen duke filluar nga 1 maji 2024 deri në 31 dhjetor 2024 do të zbatohen sipas çmimeve të reja për prodhuesit e bukës. Në vendimin e miratuar nga ERE për kategorinë e parë ku përfshihen “Vetëm Furra buke/prodhim mielli” çmimi i energjisë elektrike do të jetë 7.6 lekë/kwh. Për kategorinë e dytë “Furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri” çmimi do të jetë 9,5 lekë/kwh dhe për kategorinë e tretë “Furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri, shërbim Kafe” çmimi do të jetë 12 lekë/kwh.
