Në vitin 2031 pritet të bëhet fotografimi i radhës i popullsisë dhe numrit të banesave në Shqipëri. Por ndryshe nga censi i vitit 2023 apo të viteve të tjera, numërimi i popullsisë nuk do të bëhet me numërues derë më derë, por do të bazohet mbi regjistra administrativ, të dhëna nga gjendja civile etj.
“Shpreh nevojën për shtesë stafi por edhe për infrastrukturë teknologjike, në kushtet kur kërkohet që me synimin që censi i 2031 të bazohet në burime administrative, që kërkon staf shtesë dhe infrastrukturë solide, për të garantuar mbrojtjen e të dhënave që do të mblidhen”, u tha Elsa Dhuli.
Në komision drejtoresha e INSTAT, ju përgjigj edhe shqetësimeve të opozitës që sulmi kibernetik të janarit 2024 ka prekur edhe të dhënat e CENS-it.
Ne përjetuam një sulm kibernetik dhe me shumë transparencë kemi raportuar që janë identifikuar 40 kompjuterë të prekur, 6 prej tyre kanë qenë të fikur. Nuk ishin kompjuterët që kishin të dhënat kryesore të INSTAT-it, përsa lidhet me CENSI-n me besim të plotë raportoj se ato nuk kanë qenë të depozituar në INSTAT për sigurinë e këtij informacioni dhe nuk janë prekur gjatë sulmit”, tha Dhuli.
Vjeshtën e vitit të ardhshëm pritet të nisë Censi i Bujqësisë, por realizimi i këtij procesi në kohë do të varet edhe nga miratimi i projektligjit në Kuvend.
Dhuli tha se kostoja për të numëruar sipërfaqen e tokës që mbillet dhe me çfarë, si dhe për të regjistruar numrin e bagëtive, do të duhen 9.2 milionë euro, që janë kërkuar si financim nga buxheti i shtetit.
“Sa i takon censit të bujqësisë, aktualisht strategjia e tij është në proces miratimi zyrtar. Varet nga miratimi i projektligjit, që është konsultuar. Aktualisht po bëhen reflektime për këtë cens. Parashikohet kosto 9.2 milionë euro, që janë kërkuar nga buxheti i shteti. INSTAT po bashkëpunon me MBZHR për të realizuar këtë proces”, tha drejtuesja e INSTAT Elsa Dhuli.
Censi i bujqësisë përfshin të gjitha njësitë ekonomike, që kanë në përdorim tokë bujqësore apo që kryejnë aktivitet bujqësor ose blegtoral, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Ky CENS do të bëhet, 14 vjet pasi është bërë ‘fotografimi’ i fundit i këtij sektori në Shqipëri. Numërimi pritet të zgjasë 4 javë, dhe ata që refuzojnë të japin informacion për punonjësit e INSTAT që do të angazhohen në këtë proces, do të ketë gjoba nga 30 mijë lekë deri në 100 mijë lekë.
Censi i bujqësisë ishte parashikuar për t’u zhvilluar në vitin 2022, por ky proces u shty për në 2024-ën, por as ky objektiv nuk u arrit, dhe afati i ri tashmë është viti 2026./Shqiptarja.com
