Nga Fatima Gorezi
Të jesh i lindur në Shqipërinë e 91′-ishit do të thotë të kesh të njëjtën moshë me pluralizmin. Ne jemi “fëmijët e tranzicionit”, brezi që u rrit me kolonën zanore të thirrjes “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Sot, duke iu afruar të 35-tave, kjo thirrje tingëllon më shumë si refren nostalgjik sesa si koordinatë gjeopolitike.
Pyetja që rëndon mbi supet e brezit tonë mbetet e njëjta: pse tranzicioni shqiptar nuk ka fund? Për ne, Evropa nuk ishte thjesht një projekt politik. Ishte premtimi i një jete ku standardi nuk matet me mbijetesën, por me cilësinë.Kemi parë vende fqinje që na parakaluan, ndërsa ne mbetëm në dhomën e pritjes, duke plotësuar detyra shtëpie. Mali i Zi, me rreth 600 mijë banorë dhe historikisht jo me më pak probleme strukturore se ne, ka mbyllur tashmë kapituj të tërë negociatash dhe ka vizatuar një horizont të qartë anëtarësimi. Ne, me 2.8 milionë banorë (në letra) dhe tre dekada aspiratash të pandërprera , ende debatojmë se cilat nga 101 kushtet e BE-së jemi gati t’i plotësojmë.
Kryenegociatorja Majlinda Dhuka raportoi ditën e djeshme në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, teksa paraqiti bilancin për procesin gjatë vitit 2025 dhe 4-mujorit të parë të 2026-ës se gjatë vitit 2025 u hapën negociatat për 6 grup-kapituj, u hartuan 31 plane pune dhe u zbërthyen 101 kushte në rreth 600 nisma europiane. Rreth 157 institucione janë të përfshira në procese, numër impresionues në letër, por që nuk tregon sa nga ato funksionojnë me standarde reale.
Është e drejtë të pranohet: Shqipëria e vitit 2026 nuk është ajo e 1991-it. Reforma në drejtësi ka dhënë shkëndija shprese reale. Hapja e negociatave për tregun e brendshëm në prill 2025 dhe grupin e konkurrencës në maj 2025 janë hapa të matur. Dhe vlerësimi pozitiv i 24 fushave të ndërmjetme në drejtësi e siguri nuk duhet nënçmuar.Por këtu qëndron paradoksi i hidhur: numrat janë impresionues; ekuacioni mbetet i pazgjidhur. Shqipëria ka mësuar të prodhojë raporte, plane pune dhe korniza ligjore me shpejtësi. Ajo që nuk ka mësuar ende, ose nuk e ka dëshmuar me konsekuencë është t’i zbatojë ato me të njëjtën shpejtësi.
Ndërkohë, çmimi i kësaj zvarritjeje paguhet jo nga institucionet, por nga njerëzit. Talenti shpesh humbet përballë nepotizmit. Brezi ynë përballet çdo ditë me dilemën: të qëndrojë e të ndërtojë këtu, apo të kërkojë Evropën “gati” në Gjermani apo Itali? Dhe çdo vit që kalon pa një horizont të qartë, kjo dilemë zgjidhet gjithnjë e më shumë në favor të largimit.
Ironia e madhe? Ata që largohen janë pikërisht ata që do t’i nevojiteshin vendit për ta ndërtuar atë standard europian që BE-ja kërkon si kusht anëtarësimi. Emigracioni nuk është pasojë e dështimit të integrimit, është shkak i tij.
Kur kryeministri dhe kryenegociatorja Dhuka nënvizojnë “mbështetjen e plotë të Komisionit dhe Parlamentit Europian”, nuk gënjejnë. Por kjo mbështetje nuk është as ”dashuri e pakushtëzuar”, as pasaportë hyrjeje. Është mbështetje proceduriale, dritë jeshile për të vazhduar lëvizjen, jo për të mbërritur destinacionin.
Dhe ndërkohë, vendet anëtare, veçanërisht ato me skepticizëm të brendshëm ndaj zgjerimit nuk ngutin vendimin. Shqipëria shërbeu për vite si shembull i “vendit kandidat model” sa herë duhej justifikuar procesi i zgjerimit. Por modeli nuk zëvendëson anëtarësimin.
Zhgënjimi vjen nga pritja. Por shpresa mbetet te fakti se shoqëria shqiptare, veçanërisht brezi ynë e jeton Evropën çdo ditë përmes ambicies, punës dhe vlerave, edhe kur institucionet vonohen. Problemi nuk është më te ëndrra. Është te sistemi i vonuar që rrezikon t’ua lërë edhe fëmijëve tanë këtë ëndërr si trashëgimi premtimesh të papërmbushura./bussinesmag.al
