Detyrimet e prapambetura të qeverisjes qendrore dhe vendore arritën në rreth 6.18 miliardë lekë në fund të shtatorit 2026, sipas të dhënave të raportuara nga Financat. Nga kjo shumë, rreth 3 miliardë lekë u përkasin institucioneve të qeverisjes vendore, ndërsa 1.77 miliardë lekë institucioneve të qeverisjes qendrore dhe 1.4 miliardë lekë janë rimbursim TVSH-je që nuk është ekzekutuar ende nga Tatimet.
Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e detyrimeve të papaguara është përqendruar te pushteti vendor, i cili përfaqëson rreth 63% të totalit, kundrejt 37% të qeverisjes qendrore. Këto detyrime lidhen me investimet, shërbimet, vendimet gjyqësore, furnizimet me mallra dhe kategori të tjera shpenzimesh të papaguara brenda afateve.
Situata paraqitet veçanërisht problematike në disa bashki, ku detyrimet e akumuluara arrijnë në qindra milionë lekë. Në krye të listës qëndron Bashkia Kavajë, e ndjekur nga Pogradeci dhe Lezha. Ndërkohë, në nivel qendror, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale rezulton institucioni me stokun më të lartë të detyrimeve.
Bashkia Kavajë kryeson me 725 milionë lekë detyrime të prapambetura
Bashkia Kavajë rezulton njësia e qeverisjes vendore me detyrimet më të larta të prapambetura në vend, me një stok prej 725.1 milionë lekësh në fund të shtatorit 2026.
Nga kjo shumë, rreth 492.7 milionë lekë klasifikohen si detyrime të tjera, ndërsa 176.1 milionë lekë lidhen me shërbimet. Bashkia ka gjithashtu 30.7 milionë lekë detyrime nga vendimet gjyqësore.
Në vendin e dytë renditet Bashkia Pogradec, me 232.1 milionë lekë detyrime. Pjesën më të madhe e përbëjnë detyrimet për shërbime, me 70.6 milionë lekë, investimet me 54.3 milionë lekë dhe vendimet gjyqësore me 41.2 milionë lekë.
Bashkia Lezhë renditet e treta, me 208.5 milionë lekë detyrime të prapambetura. Në këtë bashki, detyrimet për investime zënë peshën kryesore, me 155.6 milionë lekë.
Më pas renditet Bashkia Dimal, me 142.9 milionë lekë, ku 71 milionë lekë janë detyrime për investime dhe 43.4 milionë lekë për mallra.
Bashkia Tiranë, njësia më e madhe vendore në vend, rezulton me 142 milionë lekë detyrime të prapambetura. Nga kjo shumë, 52.1 milionë lekë janë detyrime të tjera, 49.5 milionë lekë lidhen me investimet dhe 32.3 milionë lekë me shërbimet.
Lista vijon me Bashkinë Cërrik, me 121.9 milionë lekë, Bashkinë Rrogozhinë me 120.8 milionë lekë, Bashkinë Berat me 111.9 milionë lekë, Bashkinë Vorë me 106.7 milionë lekë dhe Bashkinë Krujë me 98.8 milionë lekë.
Vetëm këto dhjetë bashki kanë së bashku rreth 2.01 miliardë lekë detyrime të prapambetura, duke përfaqësuar afërsisht 67% të stokut të përgjithshëm të qeverisjes vendore.
Një tregues tjetër i rëndësishëm është struktura e detyrimeve të pushtetit vendor. Investimet përbëjnë kategorinë më të madhe, me rreth 1.14 miliardë lekë, të ndjekura nga detyrimet e tjera me 647.4 milionë lekë, shërbimet me 525.1 milionë lekë dhe vendimet gjyqësore me 356 milionë lekë.
Kjo strukturë tregon se një pjesë e konsiderueshme e detyrimeve të bashkive lidhet me financimin e investimeve dhe përmbushjen e kontratave për shërbime, duke ngritur shqetësime për planifikimin buxhetor dhe aftësinë e njësive vendore për të shlyer në kohë angazhimet financiare.

Qeverisja qendrore, Shëndetësia me detyrimet më të larta
Në institucionet e qeverisjes qendrore, stoku i detyrimeve të prapambetura në fund të shtatorit 2026 arriti në 1.77 miliardë lekë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale kryeson listën me 515.4 milionë lekë, ose rreth 29% të totalit të detyrimeve të qeverisjes qendrore.
Në strukturën e detyrimeve të këtij institucioni, 215.5 milionë lekë klasifikohen si detyrime të tjera, 176.3 milionë lekë lidhen me vendime gjyqësore, ndërsa 46.7 milionë lekë janë detyrime për mallra.
Në vendin e dytë renditet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me 298.7 milionë lekë detyrime të prapambetura. Peshën kryesore e zënë investimet, me 207.4 milionë lekë, të ndjekura nga shërbimet me 63.4 milionë lekë.
Ministria e Mbrojtjes renditet e treta, me 221.2 milionë lekë. Detyrimet e saj përfshijnë 55.7 milionë lekë nga vendimet gjyqësore, 49.6 milionë lekë detyrime të tjera dhe detyrime për sigurime e tatime.
Kategoria e institucioneve të tjera qeveritare rezulton me 217.4 milionë lekë detyrime, kryesisht të lidhura me investimet.
Ministria e Punëve të Brendshme ka një stok prej 142.2 milionë lekësh, ku pjesa dërrmuese, rreth 129.5 milionë lekë, lidhet me vendimet gjyqësore.
Ministria e Arsimit rezulton me 102.7 milionë lekë detyrime, ndërsa Ministria e Financave me 92.7 milionë lekë.
Më tej renditen Prokuroria e Përgjithshme me 55.4 milionë lekë, Ministria e Mjedisit me 36.2 milionë lekë, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit me 33.9 milionë lekë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit me 31.5 milionë lekë.
Në nivel qendror, detyrimet për investime përbëjnë kategorinë kryesore, me 587.9 milionë lekë, të ndjekura nga detyrimet për vendime gjyqësore me 470.3 milionë lekë dhe detyrimet e tjera me 341.5 milionë lekë. /ekofin.al
