Programi buxhetor afatmesëm 2026–2028 parashikon zgjerimin e mbështetjes për shtresat në nevojë, përmes politikave aktive të punësimit, fuqizimit të ndërmarrjeve sociale dhe forcimit të shërbimeve sociale në nivel vendor.
Për mbështetjen e personave nga grupet e pafavorizuara përmes punësimit në ndërmarrjet sociale, synohet të punësohen mesatarisht 150 persona çdo vit, me qëllim integrimin në tregun e punës të kategorive të ndryshme të grupeve të pafavorizuara nga pikëpamja sociale dhe ekonomike me një fond mesatarisht prej 80 milionë lekësh përgjatë periudhës 2026-2028.
Për vitin 2024 rezultonin vetëm 21 persona nga grupet e pafavorizuara të punësuar në ndërmarrjet sociale, kundrejt 60 të parashikuar, me një kosto prej 175,091 lekë/person. Personave që përfshihen në këtë financimin e këtij produkti u paguhet vlera e plotë e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore mbi pagën minimale në Republikën e Shqipërisë.
Ministria parashikon gjithashtu të rrisë numrin e personave të punësuar në ndërmarrjet sociale në raport me numrin e anëtarëve në moshë pune në skemën e ndihmës ekonomike në 5% në vitin 2028.
Gjithashtu, në program përfshihet mbështetja e fondit social për njësitë e vetqeverisjes vendore për ofrimin e shërbimeve të reja sociale territoriale për grupet në nevojë dhe mbështetjen e familjeve të Ndihmës Ekonomike (NE) me paketa sociale shëndetësore, duke synuar ofrimin e 95-115 shërbime në bashkitë e vendit, me një fond mesatarisht prej 400-450 milionë lekë përgjatë periudhës 2026-2028. Parashikohet të përfitojnë 61 njësi të vetëqeverisjes vendore në vitin 2027 nga 43 NJVQVV që parashikohen të përfitojnë në vitin 2025.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, buxheti për Ndihmën Ekonomike (i korrektuar) për vitin 2024 ishte 5,838,388 mijë lekë, ndërkohë realizimi u krye në masën 5,763,984 mijë lekë.
Këto fonde mbuluan pagesat e 46,878 familjeve në skemën e NE, 4,145 familje në skemën 6% dhe 2,576 individ, (sipas të dhënave mesatare për vitin 2024, të marra nga SHSSH) kundrejt 64,000 familjeve/individëve të parashikuar me një kosto vjetore 91,225 lekë/familje.
Në buxhetin faktik përfshihej edhe vlera 783,255 mijë për shpërblimet e fund vitit për 52,217 persona./ekofin.al

