Bizneset me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë, që kanë pësuar dëme materiale gjatë protestave të dhunshme të zhvilluara nga 13 deri më 22 tetor 2026, do të kompensohen në masën 100% nga shteti. Qeveria ka miratuar një akt normativ të posaçëm, i cili përcakton procedurat e dëmshpërblimit, afatet e verifikimit dhe mekanizmin përmes të cilit shteti do t’u kërkojë më pas autorëve të dhunës kthimin e shumave të paguara.
Skema e re synon të mbështesë bizneset e prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve, duke u mundësuar rikuperimin e dëmeve materiale, pa qenë e nevojshme që më parë të identifikohen apo të dënohen personat përgjegjës për shkatërrimin e pronës.
Sipas aktit normativ, përfitues janë personat fizikë dhe juridikë privatë, të regjistruar si biznese apo tatimpagues, me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë, bazuar në deklaratën vjetore të vitit 2025.
Kompensimi përfshin dëmet e shkaktuara në pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, ku mund të përfshihen ambientet tregtare, pajisjet, inventari dhe pasuri të tjera të dëmtuara ose të shkatërruara gjatë protestave.
Shteti mbulon të gjithë dëmin, por vetëm për pasuritë e pasiguruara
Një nga elementet kryesore të aktit normativ është përcaktimi se shteti do të kompensojë vlerën e plotë të dëmit të dokumentuar dhe të verifikuar për subjektet që plotësojnë kriteret.
Megjithatë, skema parashikon një dallim të rëndësishëm për bizneset që kanë kontrata sigurimi.
Në rastet kur pasuria është e siguruar dhe kontrata mbulon dëmtimet e shkaktuara nga trazirat apo aktet e dhunshme, kompensimi do të kryhet nga shoqëria e sigurimit.
Nëse kontrata e sigurimit nuk e mbulon këtë lloj rreziku, pasuria do të konsiderohet e pasiguruar për qëllimet e skemës dhe biznesi mund të përfitojë kompensimin shtetëror.
Ndërsa në rastet kur siguracioni mbulon vetëm një pjesë të dëmit, diferenca e pambuluar do të kompensohet nga shteti.
Kjo do të thotë se skema synon të shmangë pagesën e dyfishtë për të njëjtin dëm, duke garantuar njëkohësisht mbulimin e pjesës së dëmit që nuk rimbursohet nga siguruesi.
Si do të aplikojnë bizneset dhe cilat dokumente kërkohen?
Procedura e kompensimit nis me paraqitjen e një kërkese pranë administratës tatimore.
Bizneset e dëmtuara duhet të paraqesin dokumentacionin që provon vlerën e pasurive të shkatërruara ose të dëmtuara, si dhe provat që disponojnë për lidhjen e dëmit me protestat e dhunshme.
Nëse subjekti ka të dhëna për identifikimin e personave që kanë shkaktuar dëmin, mund t’i paraqesë edhe ato, por identifikimi i autorëve nuk është kusht për përfitimin e kompensimit.
Kërkuesi duhet gjithashtu të deklarojë nëse pasuria ka qenë e siguruar. Kur ekziston një kontratë sigurimi që nuk e mbulon rrezikun, kërkohet kopja e policës dhe përgjigjja e shoqërisë së sigurimit për refuzimin e dëmshpërblimit. Për sigurimet e pjesshme kërkohet edhe vendimi për shumën e mbuluar.
Administrata tatimore do të verifikojë dokumentacionin dhe të dhënat e subjektit, përfshirë regjistrimin, qarkullimin e deklaruar për vitin 2025, faturat tatimore dhe inventarin e deklaruar.
Brenda pesë ditëve pune nga marrja e kërkesës, administrata tatimore duhet t’ia përcjellë dosjen Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.
Rregullat e detajuara të aplikimit, përfshirë dokumentacionin dhe të dhënat bankare që duhet të dorëzohen, do të përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.
Policia ka 30 ditë për verifikimin, Ministria e Ekonomisë vendos për kompensimin
Pas marrjes së dokumentacionit nga administrata tatimore, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do t’i kërkojë Policisë së Shtetit verifikimin e rrethanave të dëmtimit.
Policia do të ketë një afat prej 30 ditësh për të konfirmuar nëse dëmi është shkaktuar gjatë tubimeve të dhunshme dhe nga protestuesit, duke përdorur informacionin e administruar prej saj dhe provat e paraqitura nga bizneset.
Në procesin e shqyrtimit parashikohet edhe vlerësimi i dëmit nga ekspertë të licencuar.
Në rast se konfirmohet se dëmi është shkaktuar nga protestuesit gjatë tubimeve të dhunshme, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit pranon kërkesën dhe, brenda 30 ditëve nga përfundimi i evidentimit, vendos kalimin e shumës së kompensimit në llogarinë bankare të përfituesit.
Nëse nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar lidhjen e dëmit me protestat, kërkesa nuk pranohet dhe subjekti njoftohet për vendimin.
Një element i rëndësishëm është se kompensimi do të realizohet edhe kur autorët e dëmit nuk janë identifikuar. Mjafton që Policia e Shtetit të konfirmojë se dëmi është shkaktuar nga protestuesit gjatë tubimit të dhunshëm.
Shteti do t’ua kërkojë paratë autorëve të dhunës, përgjegjësi edhe për organizatorët
Akti normativ vendos edhe një mekanizëm për rikuperimin e fondeve publike që do të përdoren për kompensimin e bizneseve.
Pasi shteti të ketë paguar dëmin, ai fiton të drejtën t’i kërkojë autorit përgjegjës kthimin e shumës së kompensimit.
Nëse Policia e Shtetit identifikon personat që kanë shkaktuar dëmin, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit njofton Avokaturën e Shtetit, e cila fillimisht i fton personat përgjegjës të shlyejnë vullnetarisht detyrimin.
Në rast se shuma nuk paguhet brenda 30 ditëve, Avokatura e Shtetit autorizohet të ngrejë padi për rikuperimin e saj.
Përgjegjësia nuk kufizohet vetëm te personat që kanë shkaktuar drejtpërdrejt dëmin. Akti parashikon që padia mund t’i drejtohet edhe personit juridik apo organizatës që ka organizuar protestën ose tubimin e dhunshëm, nëse ka një të tillë, duke përcaktuar përgjegjësi solidare për dëmin.
Për dëmet e shkaktuara nga të miturit, akti u referohet dispozitave të Kodit Civil që rregullojnë përgjegjësinë e prindërve dhe kujdestarëve, duke përfshirë edhe rastet kur ata mund të përjashtohen nga përgjegjësia nëse provojnë se nuk kanë mundur ta ndalonin shkaktimin e dëmit.
Ndërkohë, nëse një person shpallet i pafajshëm me vendim gjyqësor të formës së prerë, ose çështja penale pushohet për shkak se rezulton që ai nuk e ka kryer veprën, Avokatura e Shtetit duhet të heqë dorë nga gjykimi i padisë përkatëse.
Edhe dëmet ndaj institucioneve publike do të kërkohen nga përgjegjësit
Përveç kompensimit të bizneseve private, akti normativ trajton edhe përgjegjësinë për dëmet e shkaktuara ndaj pasurisë shtetërore dhe publike.
Institucionet e dëmtuara dhe Policia e Shtetit duhet t’i vendosin në dispozicion Avokaturës së Shtetit informacionin për dëmet dhe subjektet përgjegjëse, në mënyrë që të ngrihen paditë përkatëse sipas Kodit Civil.
Kështu, mekanizmi i rikuperimit të dëmit shtrihet edhe mbi pasuritë publike, megjithëse skema e kompensimit të drejtpërdrejtë nga buxheti, e përcaktuar në këtë akt, u drejtohet bizneseve private që plotësojnë kriteret.
Akti parashikon gjithashtu vendosjen e gjobave administrative nga drejtoritë vendore të Policisë së Shtetit, sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për tubimet, ndaj personave për të cilët është vlerësuar i ligjshëm arresti, kur është urdhëruar shpërndarja e tubimit të paligjshëm dhe gjatë tij janë kryer krime.
Personat e gjobitur kanë të drejtën e ankimit gjyqësor.
Fondet nga buxheti i Ministrisë së Ekonomisë, udhëzimet brenda shtatë ditëve
Efektet financiare të kompensimit do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, ndërsa fondet përkatëse do të alokohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Akti normativ nuk përcakton një shumë totale të fondeve që do të përdoren për këtë skemë. Kostoja përfundimtare do të varet nga numri i subjekteve përfituese dhe vlera e dëmeve që do të konfirmohen gjatë procesit të verifikimit.
Udhëzimet për zbatimin e skemës duhet të miratohen brenda shtatë ditëve nga hyrja në fuqi e aktit normativ, i cili parashikon hyrjen në fuqi menjëherë dhe botimin në Fletoren Zyrtare.
Me këtë mekanizëm, qeveria synon që barra fillestare financiare e dëmeve të mos mbetet mbi bizneset e prekura nga dhuna, por të përballohet nga shteti, i cili më pas do të kërkojë rikuperimin e fondeve nga personat përgjegjës.
Megjithatë, skema ka një kufizim të qartë: kompensimi i drejtpërdrejtë prej 100% nga shteti u takon vetëm bizneseve me qarkullim deri në 14 milionë lekë në vitin 2025. Bizneset që e tejkalojnë këtë prag nuk përfshihen në mekanizmin e posaçëm të kompensimit të parashikuar nga ky akt. /ekofin.al
