Ministria e Mjedisit ka hedhur për konsultim publik dy projektvendime të rëndësishme që synojnë të forcojnë sistemin e përgjegjësisë mjedisore në Shqipëri dhe të afrojnë më tej legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.
Projektaktet parashikojnë, nga njëra anë, përcaktimin e veprimtarive që konsiderohen me rrezik të lartë për mjedisin dhe, nga ana tjetër, vendosjen e kritereve të detajuara për identifikimin, vlerësimin dhe përcaktimin e dëmit mjedisor, duke krijuar një kuadër më të qartë për ndërhyrjen e institucioneve dhe detyrimet e operatorëve ekonomikë.
Projektvendimi i parë përcakton listën e aktiviteteve që konsiderohen potencialisht të rrezikshme për mjedisin. Në këtë kategori përfshihen instalimet industriale që pajisen me leje mjedisore të tipit A, aktivitetet e menaxhimit të mbetjeve, landfillët, inceneratorët, subjektet që shkarkojnë lëndë ndotëse në ujërat sipërfaqësore apo nëntokësore, aktivitetet që përdorin kimikate të rrezikshme, transporti i mallrave të rrezikshme, instalimet industriale me emetime në ajër, si dhe aktivitetet që lidhen me organizmat e modifikuar gjenetikisht, mbetjet minerare dhe depozitimin gjeologjik të dioksidit të karbonit.
Sipas projektvendimit, këto veprimtari konsiderohen me risk të lartë pasi mund të shkaktojnë dëme ndaj burimeve natyrore, ndotje të ujit, ajrit dhe tokës, dëmtim të biodiversitetit dhe habitateve të mbrojtura, si dhe rreziqe për shëndetin e njeriut. Lista nuk është shteruese, çka do të thotë se edhe aktivitete të tjera mund të klasifikohen si të rrezikshme në varësi të ndikimit të tyre në mjedis.
Projektvendimi i dytë shkon një hap më tej, duke vendosur kriteret mbi të cilat do të vlerësohet nëse ekziston një kërcënim i menjëhershëm për dëmtim të mjedisit apo nëse një dëm mjedisor është shkaktuar realisht. Dokumenti përcakton se dëmi mjedisor konsiderohet çdo ndryshim negativ i matshëm në burimet natyrore ose në shërbimet që ato ofrojnë për publikun dhe ekosistemin.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit do të vlerësojë raste të tilla bazuar në një sërë kriteresh, duke përfshirë natyrën dhe sasinë e substancave ndotëse, afërsinë me burime ujore, habitate natyrore, zona të mbrojtura apo zona të banuara, rrugët e përhapjes së ndotjes, gjendjen teknike të instalimeve dhe rrezikun potencial për shëndetin e njeriut. Gjithashtu do të merret në konsideratë historiku i incidenteve apo shkeljeve të mëparshme të operatorit.
Një element i rëndësishëm i projektvendimit është vendosja e parimit të lidhjes shkakësore. Për të përcaktuar përgjegjësinë e një operatori, AKM do të duhet të provojë lidhjen ndërmjet aktivitetit të tij dhe dëmit të konstatuar, duke analizuar kohën, vendndodhjen, llojin e ndotësve, rezultatet laboratorike dhe çdo shkak alternativ të mundshëm.
Projektakti përcakton gjithashtu kriteret për dëmtimin e habitateve natyrore dhe llojeve të mbrojtura, dëmtimin e ujërave dhe ndotjen e tokës. Në rastin e tokës, dëmi konsiderohet i rëndësishëm kur ndotja krijon rrezik të konsiderueshëm për shëndetin e njeriut. Ndërsa për habitatet dhe biodiversitetin, vlerësimi do të bazohet në ndikimin që ka dëmi mbi statusin e ruajtjes së llojeve dhe kapacitetin e tyre për t’u rigjeneruar natyrshëm.
Në praktikë, këto ndryshime pritet të rrisin përgjegjësinë e industrive, kompanive të menaxhimit të mbetjeve, operatorëve minerarë, transportuesve të lëndëve të rrezikshme dhe aktiviteteve të tjera me ndikim të lartë në mjedis. Për herë të parë përcaktohen me detaje kriteret mbi të cilat institucionet do të vendosin nëse ekziston një kërcënim mjedisor, kush është përgjegjës për të dhe cilat masa parandaluese apo rehabilituese duhet të ndërmerren. /ekofin.al

