Bumi turistik që përjetoi Shqipëria një vit më parë, e rriti pritshmërinë që këtë sezon të ketë edhe më shumë turistë.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Qeveria shqiptare, nga janari i këtij viti deri në qershor, këtë vend e vizituan 4.5 milionë turistë, ose 34 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Por, ajo që tërhoqi vëmendjen kohëve të fundit, ishte publikimi i disa fotografive dhe videove në rrjetet sociale, që, sipas atyre që i shpërndanë, ishin të plazheve shqiptare me shumë pak njerëz ose të boshatisura.
Ekspertë të turizmit mendojnë se ka disa mangësi që lidhen me shërbimin dhe infrastrukturën, si dhe me rritjen e çmimeve.
“Çmimet, sidomos në jug, janë rritur në mënyrë joproporcionale dhe të pashembullt. Dhe, pritshmëria ndaj çmimeve të ulëta ka rënë bashkë me reklamën që i është bërë këtij fenomeni. Pra, kemi efektin bumerang. Duhen masa paraprake para se të bësh turizëm, duhet të kesh siguruar njëherë asete dhe produkte, e më pas t’i shesësh”, thotë eksperti Leonard Maçi.
Problemin me rritjen e çmimeve, kryesisht në jug të Shqipërisë, e pranoi edhe Rama, pak ditë më parë.
Duke iu drejtuar kryebashkiakëve të Vlorës dhe Sarandës, ku raportohen çmime të larta krahasuar me një vit më parë, Rama kërkoi nga ta që të bisedojnë me operatorët turistikë për këtë problematikë.
“Duhet t’u thuhet se kjo është jo vetëm e padrejtë, por është strategjikisht vetëvrasje për vetë ata”, tha Rama në takimin me kryebashkiakët.
Maçi, në anën tjetër, shton se është e patolerueshme që pikërisht në kulmin e sezonit turistik në Shqipëri, kryhen punime në infrastrukturë, të cilat, siç thotë, shkaktojnë trafik dhe ndotje.
Kjo problematikë, sipas tij, është një tjetër arsye që sivjet numri i turistëve do të jetë më i ulët.
Asaj i shton edhe, siç thotë, mungesën e pjesëmarrjes së Shqipërisë me atë që ofron, në panairet ndërkombëtare.
Rezerva për shifrat e turistëve
Besnik Vathi, një operator turistik në Shqipëri, thotë se ka rezerva në lidhje me shifrat që i deklarojnë institucionet shqiptare për numrin e turistëve.
“Ne i raportojmë hyrjet në kufi, e që nuk janë të gjithë turistë”, thotë ai.
“Në mesin e tyre janë edhe turistë, edhe ata që quhen vizitorë të së njëjtës ditë… E, për shkak të rëndësisë që po merr Aeroporti i Rinasit për rajonin, janë me qindra mijëra udhëtarë nga Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut që e përdorin atë, për të kapur fluturime direkte, pasi krahasuar me vendet e tyre, janë 3-4 herë më lirë”, thotë Vathi.
Sipas tij, duhet parë nëse ata që hyjnë nga një kufi tokësor, dalin brenda orësh apo qëndrojnë.
“Nëse nuk raportojmë në këtë mënyrë, vihet në dyshim saktësia sa u përket shifrave të turizmit”, thotë Vathi.
“Nëse u referohemi hyrjeve nga Kosova”, thotë ai, asnjëherë nuk është saktësuar se sa prej tyre janë pushues në Shqipëri, e sa e shfrytëzojnë territorin e Shqipërisë për të kaluar në Mal të Zi.
“Mund të jenë edhe qytetarë me pasaporta zvicerane apo gjermane, që mund të futen në Shqipëri nga kufiri me Malin e Zi, të kalojnë dhe të shkojnë në Kosovë, ose anasjelltas. Dhe ne, me këtë mënyrë matjeje, i llogarisim si turistë të huaj, e në fakt duhen klasifikuar si vizitorë transit”, thotë Vathi. /Rel

