Bizneset kanë kundërshtuar rritjen e tarifave të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, ndërsa e kanë cilësuar si të pabazuara kërkesat e bëra nga Operatori i Sistimit të Shpërndarjes dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit. Gjatë një seance dëgjimore të realizuar nga Enti Rregullator i Energjisë, ata kërkuan më shumë shpjegime mbi arsyet që kanë çuar kompanitë publike, të kërkojnë rritje të tarifave.
Administaroti i OSHEE, Adrian Çela e konsideroi si minimale rritjen e kërkuar për tensionin 20 KV, ndërkohë që Artur Kurti nga OST, tha se kërkesa është e bazuar në tregues.
Kjo ishte seanca e parë dëgjimore e realizuar nga ERE, teksa bordi bëri me dije se për vendimarrjen do të mbahen parasysh interesat e të dy palëve.
Referuar aplikimeve, OSSH ka kërkuar që për klientëte lidhur në tensionin 35 KV, tarifa e shpërndarjes të shkojë në 2.61 lekë kwh, nga 1.5 lekë/kwh që është aktualisht, ndërsa për tensionin 0.6-20 KV të shkojë 3.99 lekë/Kwh nga 3.9 lekë/këh që është aktualisht. Për klientët e tjerë fundorë të lidhur me rrjetin e shpërndarjes në nivelet e tjerë të tensionit, OSSH aktualisht faturon energjinë e lëvruar bazuar në tarifën mesatare të shpërndarjes së energjisë elektrike prej 4.79 lekë/kwh, ndërkohë që në aplikimi kërkuar që kjo tarifë të shkojë në 6.63 lekë/kwh.
Ndërkaq, kompania tjetër publike që është OST kërkon që tarifa të shkojë 1.47 lekë/kwh nga 0.75 lekë/këh që është aktualisht, apo 96% më tepër. Rritja e tarifave të transmetimit dhe shpërndarjes impakton drejtpërdrejt bizneset që kanë dalë në treg të lirë energjie.