Autoritetet në Danimarkë po studiojnë me urgjencë mënyrat për të mbyllur një boshllëk të dukshëm sigurie në qindra autobusë elektrikë të prodhuar në Kinë, që u mundëson atyre të çaktivizohen nga distanca.
Hetimi vjen pas zbulimeve nga autoritetet e transportit në Norvegji, ku autobusët Yutong janë gjithashtu në shërbim, se furnizuesi kinez kishte akses të largët për përditësime softuerike dhe diagnostikime në sistemet e kontrollit të automjeteve – një veçori që mund të shfrytëzohet për të ndikuar në funksionimin e autobusëve gjatë lëvizjes.
Mes shqetësimeve për rreziqe të mundshme sigurie, autoriteti publik norvegjez i transportit Ruter vendosi të testojë dy autobusë elektrikë në një ambient të izoluar.
Drejtori ekzekutiv i Ruter, Bernt Reitan Jenssen, deklaroi: “Testimet zbuluan rreziqe për të cilat po marrim masa. Autoritetet kombëtare dhe lokale janë informuar dhe duhet të ndihmojnë me masa shtesë në nivel kombëtar.”
Hetimet e tyre zbuluan se çaktivizimi i largët mund të parandalohej duke hequr kartat SIM të autobusëve, por kjo u konsiderua e papërshtatshme pasi do t’i shkëpuste ata edhe nga sisteme të tjera funksionale.
Ruter njoftoi se do të vendosë kërkesa më të rrepta sigurie për blerjet e ardhshme. Jenssen shtoi se duhet vepruar përpara ardhjes së brezit të ri të autobusëve, të cilët mund të jenë “edhe më të integruar dhe më të vështirë për t’u siguruar”.
Në Danimarkë, kompania më e madhe e transportit publik Movia ka në operim 469 autobusë elektrikë kinezë, prej të cilëve 262 janë prodhuar nga Yutong.
Shefi operativ i Movia-s, Jeppe Gaard, tha se u informua javën e kaluar se “autobusët elektrikë – ashtu si makinat elektrike – mund të çaktivizohen nga distanca nëse sistemet e tyre softuerike kanë akses në internet”. Ai shtoi: “Ky nuk është një problem vetëm për autobusët kinezë. Është një problem për të gjitha llojet e automjeteve dhe pajisjeve që kanë elektronikë kineze të integruar.”
Gaard pohoi se Agjencia Daneze për Mbrojtje Civile dhe Menaxhim Emergjencash (Samsik) e kishte njoftuar se nuk ishte në dijeni të ndonjë rasti specifik çaktivizimi, por paralajmëroi se automjetet janë të pajisura me “nën-sisteme me lidhje interneti dhe sensorë (kamera, mikrofona, GPS)” që mund të përbëjnë cenueshmëri që mund të shfrytëzohen për të penguar funksionimin e autobusëve.
Samsik konfirmoi se ishte kontaktuar nga Movia dhe përsëriti se “nuk ka dijeni për raste specifike të çaktivizimit të autobusëve elektrikë”.
Një zëdhënës i Samsik shtoi: “Autoritetet kanë këshilluar më parë sektorin e transportit lidhur me blerjen e autobusëve elektrikë kinezë dhe janë të gatshme të këshillojnë dhe udhëzojnë kompani dhe autoritete për parandalimin dhe menaxhimin e kërcënimeve. Samsik ndjek zhvillimet në këtë fushë dhe vlerëson vazhdimisht nëse udhëzimet ekzistuese janë të mjaftueshme. Kjo përfshin përcaktimin e nevojës për informacion të përditësuar ose bashkëpunim me autoritete të tjera për të adresuar rreziqet e sigurisë që lidhen me teknologji të caktuara.”
Yutong deklaroi se “zbaton rreptësisht ligjet, rregulloret dhe standardet e industrisë në vendet ku operojnë automjetet e saj” dhe se të dhënat e terminaleve të automjeteve Yutong në BE ruhen në një qendër të dhënash AWS në Frankfurt.
Një zëdhënës shtoi: “Këto të dhëna përdoren vetëm për mirëmbajtje, optimizim dhe përmirësim të automjeteve për të plotësuar nevojat e shërbimit pas shitjes. Të dhënat mbrohen përmes enkriptimit të ruajtjes dhe masave të kontrollit të aksesit. Askush nuk lejohet t’i aksesojë ose t’i shikojë këto të dhëna pa autorizimin e klientit. Yutong zbaton rreptësisht ligjet dhe rregulloret e BE-së për mbrojtjen e të dhënave.”
Thomas Rohden, kryetar i shoqatës daneze China-Critical Society dhe këshilltar rajonal i partisë Social Liberal, tha se Danimarka ka qenë “shumë e ngadaltë” për sa i përket varësisë nga kompanitë kineze.
“Kjo është një problem i madh. Nuk duhet të jemi kaq të varur nga një vend që ka vlera dhe ideale kaq të ndryshme nga Danimarka,” tha ai, duke shtuar se në një kohë kur Danimarka po përpiqet të rrisë qëndrueshmërinë përballë akuzave për sulme hibride nga Rusia, “nuk është aspak e qëndrueshme të jesh plotësisht i varur nga Kina.”
Ministria norvegjeze e transportit refuzoi të komentojë./Përshtati nga The Guardian, ekofin.al
