CWP Europe nënshkruan një deklaratë të përbashkët me Komisionin Evropian, Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve dhe Agjencinë e Investimeve të Malit të Zi për mbështetjen e dy projekteve të saj të rëndësishme në energjinë e rinovueshme – parkut të erës Tropojë në Shqipëri dhe parkut diellor Montechevo me bateri ruajtjeje në Mal të Zi.
Deklarata e mbështetjes për projektet e CWP Europe u nënshkrua gjatë Forumit të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, në prani të Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, sipas një njoftimi për shtyp të CWP Europe, një prej zhvilluesve kryesorë të projekteve të energjisë së rinovueshme në Evropën Juglindore.
Parku me erë Tropojë, me kapacitet 600 MW, do të avancojë pavarësinë energjetike të Shqipërisë, duke siguruar energji të pastër dhe të përballueshme dhe duke mbështetur strategjinë kombëtare të energjisë, theksoi kompania.
Parku eolik në Tropojë 600 MW do të forcojë pavarësinë energjetike të Shqipërisë
Në Mal të Zi, parku diellor Montechevo me kapacitet 400 MW do të kombinojë prodhimin diellor me ruajtjen e energjisë përmes baterive, duke u lidhur drejtpërdrejt me rrjetin e ri të transmetimit 400 kV të vendit. Projekti do të shfrytëzojë ndërlidhjet strategjike të Malit të Zi – përfshirë kabllon nënujore të energjisë drejt Italisë – për të maksimizuar eksportin e energjisë së pastër dhe për ta integruar atë në tregun energjetik evropian.
Një shtyllë e re energjetike për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën
Duke folur gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Ursula von der Leyen theksoi rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Ballkanit Perëndimor në tranzicionin energjetik të Evropës:
“Sot po nënshkruani disa investime që do ta bëjnë pikërisht këtë. Nga prodhimi i energjisë së pastër në të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor, deri te ruajtja e energjisë në Mal të Zi. Këto projekte do të ulin koston e energjisë elektrike dhe do të kontribuojnë në pavarësinë tonë të përbashkët energjetike. Ju po ndërtoni një shtyllë të re energjetike jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për të gjithë Evropën,” – deklaroi von der Leyen.
CEO i CWP Europe, Dimitar Enchev, nënshkroi deklaratën në emër të kompanisë, së bashku me Nënkryetaret Ekzekutive Maja Turković dhe Viktor Garbev.
Enchev: “Me projektet Tropojë dhe Montechevo, ne po çlirojmë potencialin e jashtëzakonshëm të rajonit në energjinë e rinovueshme dhe po forcojmë bashkëpunimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ne vlerësojmë shumë mbështetjen e Komisionit Evropian, Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve dhe Agjencisë së Promovimit të Investimeve të Malit të Zi në avancimin e këtij vizioni të përbashkët për një të ardhme energjetike të pastër, konkurruese ekonomikisht dhe të sigurt për rajonin dhe për Evropën në tërësi.”
Gjatë 17 viteve të fundit, CWP ka investuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe tranzicionin energjetik, duke zhvilluar me sukses parqet më të mëdha me erë në rajon, përfshirë edhe më të madhin në Evropë – projektin Fântânele-Cogealac 600 MW në Rumani. Aktualisht kompania po zhvillon mbi 7 GW kapacitet në energji të rinovueshme, sipas deklaratës së saj./Përshtati nga BalkanGreenEnergy News, ekofin.al
