Çmimi i ri i energjisë në Kosovë, i rritur me 15% nga tarifat ekzistuese do të nisë të faturohet nga 1 maji. Zyra e Rregullatorit për Energji deklaroi për mediat në Prishtinë se shkaku kryesor i propozimit për shtrenjtim të energjisë elektrike është çmimi në bursa.
Drejtori menaxhues në ZRrE, Petrit Pepaj, në një takim me gazetarët, theksoi se kjo është arsyeja kryesore që çoi në marrjen e një vendimi të tillë.
Pepaj specifikoi se vendimi pritet të merret zyrtarisht më 11 prill dhe se qytetarët pritet që të tarifohen me tarifën e re nga 1 maji.
Kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike kanë dalë disa parti politike, kryesisht të spektrit opozitar. Ndërkohë janë zhvilluar një sërë protestash nga qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë.
Ekspertët parashikojnë se rritja e çmimit do të shoqërohet me rritje të përgjithshme të çmimeve, edhe të ushqimeve dhe të shërbimeve, që përkthehet në kosto të shtuara në xhepat e qytetarëve.
Që prej diskutimeve për rritjen e mundshme të çmimit, në ZRrE kanë mbërritur mbi 500 ankesa nga qytetarët kundër një vendimi të tillë.

