Në vitin 2025, Shqipëria është pozicionuar ndër vendet me inflacion relativisht të ulët të ushqimeve në Evropë, me një normë prej 2.1%.
Sipas të dhënave të Eurostat, kjo shifër është dukshëm më e ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian (2.8%) dhe e vendos vendin në një zonë stabiliteti krahasuar me shumë ekonomi të tjera të rajonit.
Në skajin tjetër qëndron Turqia, me një inflacion ekstrem prej 32.8%, që reflekton probleme serioze monetare dhe makroekonomike. Edhe në Ballkan, presionet kanë qenë më të forta se në Shqipëri: Kosova ka regjistruar inflacion 7.6%, ndërsa Rumania 6.7%. Krahasuar me këto vende, Shqipëria ka pasur një performancë dukshëm më të mirë në kontrollin e çmimeve ushqimore.
Në grupin e vendeve me inflacion mesatar, midis 3% dhe 5%, renditen disa ekonomi të qëndrueshme të BE-së, si Sllovenia dhe Kroacia me 4.7%, Danimarka me 4.4%, Polonia me 4.3%, dhe Holanda me 3.5%. Edhe ndaj këtij grupi, Shqipëria me 2.1% qëndron më poshtë, duke reflektuar presione më të kufizuara inflacioniste.
Në anën e vendeve me inflacion shumë të ulët, dallohen Franca me vetëm 0.7%, Finlanda me 1.4%, dhe Zvicra, ku çmimet e ushqimeve kanë rënë rreth 1%.
Në nivel produktesh, tendencat Evropiane gjatë vitit 2025 kanë qenë mjaft të pabarabarta. Çmimet e çokollatës janë rritur me 17.9%, frutat e ngrira me 13%, mishi i viçit me 10%, vezët me 8.4%, dhe gjalpi me 8.3%. Në të kundërt, disa produkte kanë pësuar rënie të forta: vaji i ullirit me -22.9%, sheqeri me -11%, dhe vajrat e yndyrnat me rreth -5%. Si një ekonomi e hapur dhe e varur nga importet ushqimore, Shqipëria ka reflektuar pjesërisht këto lëvizje në tregun e brendshëm.
Në tërësi, të dhënat për vitin 2025 tregojnë se Shqipëria, me inflacion ushqimor 2.1%, ka qenë ndër vendet më të qëndrueshme në Evropë. Ajo ka performuar më mirë se shumica e vendeve të Ballkanit dhe Evropës Lindore, është nën mesataren e BE-së, dhe relativisht afër standardeve të vendeve perëndimore, edhe pse ende jo në nivelin më të ulët. Kjo sugjeron një kombinim të kërkesës së moderuar, politikave relativisht të kujdesshme dhe ndikimit të kufizuar nga goditjet e jashtme në çmimet ushqimore.
Inflacioni vjetor sipas kategorive të ushqimeve
Megjithatë, sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2025, inflacioni i ushqimeve në Shqipëri paraqitet dukshëm më i ulët krahasuar me shumë vende Evropiane, por ndryshon ndjeshëm sipas kategorive.
Te mishi i viçit, Shqipëria regjistron rritje prej 6%, duke u renditur ndër vendet me inflacionin më të ulët në Evropë. Për krahasim, Holanda arrin 23%, Kroacia 22%, Letonia 21%, Çekia, Sllovenia, Portugalia dhe Irlanda 18%, ndërsa mesatarja e BE-së dhe e eurozonës është 10%. Edhe rajoni shfaq norma më të larta: Kosova 14%, Maqedonia e Veriut 12%, Serbia 11%, Mali i Zi 8%. Kjo tregon se presioni mbi çmimin e mishit në Shqipëri ka qenë relativisht i kufizuar.
Te çokollata, Shqipëria shënon vetëm 1%, niveli më i ulët mes vendeve të përfshira. Në kontrast të fortë, Polonia ka 33%, Lituania dhe Estonia 32%, Rumania dhe Letonia 26%, Serbia 25%, ndërsa mesatarja e BE-së është 18%. Edhe vendet fqinje si Mali i Zi (21%) dhe Maqedonia e Veriut (20%) kanë norma shumë më të larta. Kjo e vendos Shqipërinë si përjashtim pozitiv në këtë kategori.
Te frutat e ngrira, Shqipëria nuk shfaqet me rritje pozitive, por me një rënie prej -3%, duke qenë ndër të paktat vende me deflacion në këtë produkt. Ndërkohë, Estonia arrin 32%, Suedia 22%, Kroacia 20%, Finlanda 16%, ndërsa BE dhe eurozona janë në nivelin 13%. Edhe vendet e rajonit kanë rritje, si Serbia 9% dhe Maqedonia e Veriut 7%, çka e bën rastin shqiptar veçanërisht të dallueshëm.
Te gjalpi, Shqipëria regjistron rritje prej 3%, duke u pozicionuar në pjesën e poshtme të renditjes. Kosova kryeson me 21%, Suedia ka 20%, Letonia dhe Bullgaria 18%, Irlanda 14%, ndërsa mesatarja e BE-së është 8%. Në rajon, Maqedonia e Veriut është në 6%, Mali i Zi 6%, Serbia 1%, ndërsa Qipro shënon rënie -6%. Shqipëria qëndron nën mesataren Evropiane edhe në këtë produkt.
Te vezët, inflacioni në Shqipëri është 15%, një nivel relativisht i lartë krahasuar me shumë vende të BE-së, por më i ulët se në disa vende të rajonit. Kosova arrin 30%, Çekia 29%, Sllovakia 27%, Portugalia 21%, Hungaria 20%, ndërsa mesatarja e BE-së është vetëm 8% dhe eurozona 6%. Në këtë kategori, Shqipëria ndodhet mbi mesataren Evropiane, duke reflektuar presion më të madh në tregun vendas të vezëve./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

