Javën e kaluar, Mbretëria e Bashkuar shpalli një sistem të detyrueshëm të identitetit digjital, të quajtur “Brit Card”, për të gjithë banorët deri në vitin 2029.
Qeveria argumenton se karta digjitale, e cila do të funksionojë si aplikacion, do të thjeshtojë ndërveprimet me shërbimet publike dhe do të rrisë sigurinë duke verifikuar më shpejt identitetin e individëve. Sistemi pritet të lehtësojë aksesin në shëndetësi, arsim dhe shërbime sociale, duke ulur barrën administrative dhe mashtrimet e mundshme. Gjithashtu, synon të adresojë emigracionin e paligjshëm duke siguruar që vetëm ata me të drejta ligjore të mund të punojnë dhe të përfitojnë shërbime publike.
“E di që punonjësit shqetësohen për nivelin e emigracionit të paligjshëm në këtë vend,” tha Kryeministri në një deklaratë. “Një kufi i sigurt dhe një migracion i kontrolluar janë kërkesa të arsyeshme, dhe kjo qeveri po dëgjon dhe po vepron.”
Megjithatë, sistemi ka hasur kundërshtime: mbi 2.5 milionë persona kanë firmosur një peticion kundër tij, duke argumentuar se është “një hap drejt mbikëqyrjes masive dhe kontrollit digjital.”
Nismat e ID digjitale në Europë
Identiteti digjital nuk është një koncept i ri në Europë, ku disa vende e kanë zbatuar me sukses, duke ofruar një pasqyrë të mënyrës se si Mbretëria e Bashkuar mund të modernizojë shërbimet e saj publike.
Estonia: e-ID, tashmë gati 20 vjeçare, u mundëson qytetarëve të votojnë, të nënshkruajnë dokumente online, të aksesojnë shëndetësinë dhe arsimin, si dhe të përdorin bankat dhe shërbimet e blerjeve online. Sistemi llogaritet t’i kursejë qytetarëve mesatarisht pesë ditë pune në vit falë proceseve më efikase. Sot, 99% e estonezëve kanë ID digjitale.
Danimarka: aplikacioni MitID, i prezantuar në vitin 2021 dhe i përdorur sot nga mbi 90% e popullsisë, integron shërbimet bankare, ato shtetërore, tatimet, shëndetësinë, pensionet dhe arsimin.
Spanja: DNI elektronik, i futur në vitin 2006 dhe tashmë i plotësuar nga aplikacioni MiDNI për smartphone, ofron një model të ngjashëm me atë të Danimarkës.
Bashkimi Europian: rregullorja eIDAS 2.0 kërkon që të gjitha shtetet anëtare t’u ofrojnë qytetarëve deri në vitin 2026 një portofol digjital identiteti. Projekte pilot tashmë janë duke u zhvilluar në 26 vende të BE-së, si edhe në Norvegji, Islandë dhe Ukrainë, duke përfshirë qindra autoritete publike dhe kompani private.
Megjithë këto arritje, shumica e sistemeve europiane mbeten vullnetare ose të lidhura me kartat ekzistuese të identitetit, ndryshe nga propozimi i detyrueshëm i Mbretërisë së Bashkuar./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
