Investimet në startup-et teknologjike evropiane po rimëkëmben pas një vere me aktivitet të dobët, por financimi mbetet i shpërndarë në mënyrë të pabarabartë, me Mbretërinë e Bashkuar që tërheq pothuajse gjysmën e totalit, sipas të dhënave të tech.eu.
Financimi i sektorit teknologjik në Evropë u rrit ndjeshëm në shtator, duke arritur në 15.8 miliardë euro përmes 300 marrëveshjeve të financimit, çka e çoi totalin e investimeve për vitin 2026 në pothuajse 60 miliardë euro, sipas të dhënave më të fundit të platformës online tech.eu. Megjithatë, gjysma e këtyre investimeve u përqendrua në Mbretërinë e Bashkuar.
Rritja e aktivitetit gjatë shtatorit përfaqëson një të katërtën e investimeve të realizuara që nga fillimi i vitit dhe shënon një rimëkëmbje të fortë krahasuar me gushtin, kur u siguruan vetëm 3.2 miliardë euro përmes 165 marrëveshjeve.

Këto zhvillime tregojnë gjithashtu se kompanitë evropiane po tërheqin investime të konsiderueshme në teknologji, duke krijuar mundësinë që në të ardhmen të zgjerohen dhe të ndihmojnë në uljen e varësisë së kontinentit nga gjigantët amerikanë të teknologjisë.
Megjithatë, investimet në Evropë mbeten shumë prapa atyre në Shtetet e Bashkuara, të cilat tërhoqën 50 miliardë dollarë gjatë së njëjtës periudhë, ndërsa investimet vjetore në infrastrukturën cloud dhe inteligjencën artificiale arrijnë në 800 miliardë dollarë.
Nga 300 marrëveshjet e financimit të realizuara në shtator, 25 kompani siguruan mbi 100 milionë euro secila. Mes tyre përfshihen edhe tri raunde financimi që tejkaluan 1 miliard euro, të siguruara nga kompania e inteligjencës artificiale Mistral dhe kompania e infrastrukturës së inteligjencës artificiale Nscale. Për 34 marrëveshje, vlera e financimit nuk u bë publike.
Marrëveshja më e madhe e shtatorit u realizua nga kompania franceze e inteligjencës artificiale Mistral, e cila siguroi 3 miliardë euro në një raund financimi të Serisë D, duke arritur një vlerësim të kompanisë pas investimit prej më shumë se 21 miliardë eurosh.
Inteligjenca artificiale dhe shërbimet cloud tërheqin pjesën më të madhe të investimeve
Shërbimet cloud dhe inteligjenca artificiale ishin sektorët që tërhoqën më shumë financime.
Në teknologjitë cloud u investuan 5.541 miliardë euro përmes 44 marrëveshjeve, ndërsa inteligjenca artificiale siguroi 4.194 miliardë euro.
Sektorët e tjerë që plotësojnë dhjetëshen e industrive teknologjike me investimet më të larta janë teknologjia financiare (fintech), me 847.7 milionë euro, teknologjia shëndetësore, me 826.3 milionë euro, sektori hapësinor, me 725.8 milionë euro, robotika, me 508.3 milionë euro, softuerët, me 421.1 milionë euro, siguria, me 319.8 milionë euro, telekomunikacioni, me 315 milionë euro dhe teknologjitë e avancuara (deep tech), me 274.5 milionë euro.

Mbretëria e Bashkuar kryeson financimin e teknologjisë në Evropë
Mbretëria e Bashkuar mbeti tregu kryesor evropian për tërheqjen e kapitalit gjatë shtatorit, duke siguruar 7.3 miliardë euro, rreth gjysmën e totalit mujor, përmes më shumë se 65 transaksioneve.
Pas saj renditet Franca, me 3.478 miliardë euro, e ndjekur nga Gjermania, me 1.155 miliardë euro, dhe Holanda, me 1.119 miliardë euro.
Dhjetë vendet evropiane që tërhoqën më shumë investime në teknologji gjatë shtatorit 2026
Investimet e shtatorit u realizuan me pjesëmarrjen e më shumë se 11,700 investitorëve.
Banka publike franceze e investimeve Bpifrance mori pjesë në numrin më të madh të marrëveshjeve, gjithsej tetë.
Në vendin e dytë u rendit fondi gjerman i kapitalit sipërmarrës, me financim publik dhe privat, High-Tech Gründerfonds, me shtatë marrëveshje.
Pas tij u renditën kompania italiane e kapitalit sipërmarrës Vento, me gjashtë marrëveshje, agjencia kombëtare britanike e inovacionit Innovate UK, gjithashtu me gjashtë, kompania britanike e kapitalit sipërmarrës Balderton Capital, me pesë, dhe Banka Evropiane e Investimeve, me pesë marrëveshje.
BE synon të mobilizojë miliarda euro për të ulur varësinë nga gjigantët amerikanë të teknologjisë
Bashkimi Evropian ka ngritur disa instrumente financimi të orientuara drejt sektorit teknologjik, ndërsa synon jo vetëm të zvogëlojë varësinë nga kompanitë e mëdha amerikane, por edhe të sigurojë sovranitetin e vet teknologjik.
Në korrik, Komisioni Evropian nisi një nismë publiko-private prej 10 miliardë eurosh, për të mbështetur ndërtimin e shtatë gigafabrikave të inteligjencës artificiale në Evropë.
Nisma synon gjithashtu të mobilizojë 20 miliardë euro financim privat për zhvillimin e modeleve të inteligjencës artificiale me triliona parametra, të afta të konkurrojnë me platformat kryesore, si Claude dhe ChatGPT.
Ndërkohë, Banka Evropiane e Investimeve zbaton programin TechEU, i cili përfshin 70 miliardë euro financim në formën e borxhit dhe kapitalit, me synimin për të mobilizuar gjithsej 250 miliardë euro deri në vitin 2027.
Programi synon të mbështesë startup-et evropiane në të gjitha fazat e zhvillimit, nga financimi fillestar deri te oferta publike fillestare e aksioneve (IPO).
Komisioni Evropian ka vënë gjithashtu në dispozicion 8.1 miliardë euro përmes programit Digital Europe, për të mbështetur superkompjuterët, sigurinë kibernetike, aftësitë e avancuara digjitale dhe sektorin e gjysmëpërçuesve, përmes Aktit Evropian për Çipat (Chips Act).
Së fundi, një tjetër instrument është Scaleup Europe Fund, një nismë prej 5 miliardë eurosh, e administruar nga kompania suedeze e kapitalit privat EQT.
Ky fond synon të investojë në inteligjencën artificiale, informatikën kuantike, teknologjitë e pastra dhe bioteknologji. /Përshtati nga euronews.com, ekofin.al
