Qeveria ndryshon mënyrën e financimit të Programit Kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë, i njohur si Check-up, për qytetarët mbi 35 vjeç. Sipas vendimit të ri, financimi do të kryhet për çdo kontroll të realizuar dhe të verifikuar, mbi bazën e një tarife për rast, ndërsa pagesat do të kufizohen brenda fondeve buxhetore të miratuara për këtë shërbim.
Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime në vendimin nr. 737, datë 5 nëntor 2014, që rregullon financimin e shërbimeve shëndetësore publike të kujdesit parësor nga skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore.
Ndryshimet prekin drejtpërdrejt mekanizmin e financimit të Programit Kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë, duke përcaktuar marrëdhënien kontraktore ndërmjet Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) dhe shoqërisë aksionare shtetërore “Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore” (OSHISH).
Sipas vendimit, Fondi do të lidhë kontratë me këtë shoqëri për financimin e kontrolleve mjekësore bazë për grup-moshat mbi 35 vjeç.
Pagesa për çdo kontroll të kryer dhe të verifikuar
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me mënyrën se si do të financohen shërbimet e Check-up.
Vendimi përcakton se financimi do të kryhet vetëm për rastet e realizuara dhe të verifikuara, sipas një tarife për rast të miratuar nga këshilli mbikëqyrës i OSHISH.
Kjo do të thotë se pagesat do të lidhen me numrin e kontrolleve të kryera dhe të konfirmuara sipas procedurave përkatëse, duke vendosur verifikimin e shërbimit si kusht për financimin e tij.
Një tjetër element i rëndësishëm është kufizimi buxhetor. Vendimi përcakton shprehimisht se financimi duhet të realizohet brenda fondeve të miratuara për këtë shërbim.
Ky mekanizëm synon të lidhë shpenzimet publike me shërbimet e ofruara, ndërsa efektiviteti i tij do të varet nga mënyra se si do të dokumentohen dhe verifikohen kontrollet.
Tarifa për kontroll do të miratohet nga operatori shtetëror
Sipas formulës së re, tarifa për çdo rast do të miratohet nga këshilli mbikëqyrës i shoqërisë shtetërore OSHISH, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ndërkohë, Këshilli Administrativ i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor do të miratojë mënyrën e pagesës, formën e kontratës dhe kriteret që duhet të përmbushen për lidhjen e saj.
Ky institucion do të përcaktojë gjithashtu kushtet, dokumentacionin dhe afatet për verifikimin dhe shlyerjen e pagesave për shërbimet e realizuara.
Në këtë mënyrë, vendimi ndan përgjegjësitë ndërmjet dy strukturave: operatori shtetëror miraton tarifën për rast, ndërsa Fondi përcakton procedurat kontraktore dhe të pagesës.
Megjithatë, vendimi nuk përcakton vlerën konkrete të tarifës që do të paguhet për çdo kontroll mjekësor dhe as shumën totale të financimit të programit.
Financimi kalon përmes kontratës me shoqërinë shtetërore
Ndryshimet formalizojnë edhe rolin e OSHISH në administrimin dhe financimin e Programit Kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë.
Në vendim përcaktohet se Fondi do të vijojë të lidhë kontrata me qendrat shëndetësore për financimin e paketave të shërbimeve që ato ofrojnë, ndërsa për programin Check-up do të ketë një kontratë të veçantë me operatorin shtetëror.
Kjo krijon dy marrëdhënie të dallueshme financimi brenda kujdesit shëndetësor parësor: një për paketat e zakonshme të shërbimeve të qendrave shëndetësore dhe një tjetër për kontrollet mjekësore bazë të realizuara nga OSHISH.
Në aspektin e administrimit të fondeve publike, ndryshimi vendos një mekanizëm të veçantë kontraktimi dhe pagese për programin, me detyrimin që çdo rast i financuar të jetë paraprakisht i verifikuar. /ekofin.al
