Prodhuesi kinez i automjeteve BYD (Build Your Dreams) do të realizojë tërheqjen më të madhe të automjeteve deri më sot, duke rikthyer 115,000 makina nga tregu vendas për shkak të defekteve të dizajnit dhe rreziqeve të sigurisë që lidhen me baterinë.
Tërheqja përfshin modelet Tang dhe Yuan Pro, që janë automjete elektrike dhe hibride, të prodhuara midis viteve 2015 dhe 2022.
Më konkretisht, rreth 44,500 njësi të serisë Tang do të tërhiqen për shkak të defektit në kontrolluesin e motorit elektrik, i cili në disa raste mund të shkaktojë korrozion të qarkut elektronik dhe humbje të fuqisë elektrike të makinës, sipas Administratës Shtetërore të Rregullimit të Tregut të Kinës.
Ndërkohë, rreth 71,200 makina Yuan Pro do të tërhiqen për shkak të vulosjeve të baterisë të instaluara gabimisht, që mund të lejojnë hyrjen e ujit në bateri dhe, në disa raste, të reduktojnë fuqinë e daljes.
“BYD Auto Industry Co., Ltd. do t’i autorizojë koncesionarët e saj që të aplikojnë falas një vulosje të veçantë mbrojtëse në kutinë e baterisë për të rikthyer papërshkueshmërinë ndaj ujit dhe për të eliminuar rrezikun e sigurisë,” njoftoi Administrata Shtetërore për Rregullimin e Tregut të Kinës.
Kina, lider global në industrinë e automjeteve elektrike
Kina dominon industrinë globale të automjeteve elektrike (EV), pjesërisht falë subvencioneve shtetërore bujare dhe një strategjie vizionare, e cila ka nxitur kompanitë të investojnë në teknologji elektrike shumë kohë përpara se ta bënin konkurrentët perëndimorë.
Rritja e këtyre kompanive ka qenë veçanërisht sfiduese për prodhuesit europianë, të cilët ende përballen me vështirësi për të ofruar makina elektrike me çmime konkurruese ndaj rivalëve kinezë. Për të mbrojtur industrinë vendase, Bashkimi Europian ka vendosur tarifa doganore ndaj automjeteve elektrike kineze që importohen në tregjet europiane që nga viti i kaluar.
Siguria nën vëzhgim
Megjithatë, për disa konsumatorë, përpjekjet për të ulur çmimet po shoqërohen me shqetësime për cilësinë dhe sigurinë. Në prill, kompania kineze Xiaomi u përball me kritika të ashpra pasi tre persona humbën jetën në një aksident që përfshinte një nga modelet e saj SU7.
Raste të tilla, megjithatë, nuk kufizohen vetëm te markat kineze. Disa rregullatorë ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësime për sigurinë e dorezave të dyerve në makinat elektrike të prodhuara nga Tesla, kompania amerikane e Elon Musk. Në ndryshim nga makinat tradicionale, dorezat e Teslës funksionojnë përmes sensorëve dhe energjisë elektrike, gjë që mund të dështojë gjatë zjarreve ose ndërprerjeve të energjisë.
Ky dizajn është përsëritur edhe nga prodhues të tjerë, përfshirë Xiaomi-n, por autoritetet kineze kanë propozuar rregullore të reja që detyrojnë përfshirjen e mekanizmave mekanikë për hapjen e dyerve, të aksesueshëm si nga brenda ashtu edhe nga jashtë automjetit./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
