Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur të lërë në fuqi deri në datën 31.12.2024 “Listën e tarifave për Tregun Brenda së Njëjtës Ditës”, të cilën e kishte miratuar më maj të këtij viti. Tarifat do të jenë të aplikueshme deri më 31.12.2024 për Operatorin e Emëruar të Tregut të Energjisë Elektrike (NEMO). Gjithashtu ka vendosur që edhe “Lista e tarifave të ALPEX-it”, do të aplikohet deri më 31.12.2024.
Historiku
Në tetor të vitit 2023, Bordi i ERE-s kishte miratuar listën e tarifave të “ALPEX”-it që do të ishin të aplikueshme për NEMO-n deri në mars të vitit 2024 dhe njëkohësisht kishte nisur procedurat për miratimin e “Metodologjisë së përcaktimit të tarifave” të NEMO-s.
Shoqëria “ALPEX”, me kërkesë, kishte kërkuar shtyrjen e afatit të aplikimit të “Listës së tarifave të ALPEX-it” deri më 31 gusht 2024, me arsyetimin se metodologjia ishte ende në fazë shqyrtimi, mbështetur në konstatimet e këtij vendimi.
– Në konstatimet e vendimit nr. 287/2023, tarifat e miratuara me këtë vendim do të jenë të aplikueshme përkohësisht, deri në momentin e miratimit të tyre bazuar në një metodologji të strukturuar qartë ku të përcaktohet: metoda e përllogaritjes së tarifave dhe periudha rregullatore. Gjithashtu citojmë se: Me fillimin e procedurave për miratimin e metodologjisë së përcaktimit të tarifave të Operatorit të Emëruar të Tregut të Energjisë Elektrike (NEMO), shoqëria “ALPEX” sh.a. duhet të vijojë me përditësimin e metodologjisë gjatë procesit konsultativ, në mënyrë që ERE të vijojë me shqyrtimin dhe miratimin e saj.
Po me kërkesë të “ALPEX”, sh.a. në maj 2024 Bordi i ERE-s kishte miratuar pjesërisht kërkesën e shoqërisë për listën e tarifave për Tregun Brenda së Njëjtës Ditë, afati i aplikimit të të cilave për NEMO-n përfundonte po në gusht 2024.
Vendimet e Bordit të ERE-s arsyetojnë se është e nevojshme që tarifat e miratuara në maj 2024 të qëndrojnë në fuqi deri më 31.12.2024, me qëllim garantimin e vijimit të ushtrimit të funksioneve operacionale të “ALPEX” sh.a. deri në finalizimin e procesit të miratimit të metodologjisë, në kushtet kur Metodologjia për përcaktimin e tarifave nga shoqëria “ALPEX” sh.a është propozuar për miratim edhe pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji të Republikës së Kosovës -ZRRE, sipas marrëveshjes kornizë për bashkimin e tregjeve elektrike të Shqipërisë dhe Kosovës.
Bazuar në të njëjtin arsyetim, Bordi i ERE-s ka vendosur që edhe “Lista e tarifave të ALPEX” të aplikohet deri më 31.12.2024. /ekofin.al