Banka e Shqipërisë ka dhënë një sinjal të qartë në Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e parë të vitit 2026: ekonomia shqiptare hyn në muajt e ardhshëm me një panoramë të qëndrueshme, por me rreziqe të reja të importuara nga jashtë, kryesisht nga përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme.
Sipas vlerësimit të Këshillit Mbikëqyrës, nëse konflikti ushtarak zgjatet dhe intensifikohet, Shqipëria mund të përballet me një goditje negative oferte, e cila do të përkthehej në rritje të inflacionit dhe ngadalësim të aktivitetit ekonomik, në përmasa të ngjashme me ato që pasuan nisjen e luftës në Ukrainë në vitin 2022.
Ky është ndoshta mesazhi më i fortë i raportit: presionet inflacioniste në të ardhmen nuk priten të vijnë më nga kërkesa e brendshme, por nga faktorë të jashtëm që mund të godasin njëkohësisht çmimet dhe ritmet e rritjes. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë thekson se vendimmarrja e ardhshme e politikës monetare do të mbetet plotësisht e varur nga të dhënat e reja dhe nga zhvillimet në arenën ndërkombëtare, duke lënë të hapur mundësinë e reagimit në kohën dhe kahun e duhur për të ruajtur stabilitetin monetar e financiar.
Në planin ndërkombëtar, raporti evidenton se aktiviteti ekonomik global u zgjerua me ritme të ngadalta, por më të mira se pritjet gjatë vitit 2025. Inflacioni global, nga ana tjetër, ka ndjekur një prirje rënëse, i ndihmuar nga çmimet më të ulëta të energjisë dhe ngadalësimi i inflacionit të ushqimeve bazë. Tregjet financiare kanë qenë përgjithësisht të qeta, në reflektim të kahut lehtësues të politikave monetare gjatë vitit të kaluar. Megjithatë, kjo panoramë është cenuar nga zhvillimet më të fundit në Lindjen e Mesme, të cilat kanë rikthyer presionet mbi çmimet e naftës dhe mallrave bazë dhe kanë rritur ndjeshëm pasiguritë në tregje.
Raporti jep një tablo më të detajuar për partnerët kryesorë ekonomikë të Shqipërisë. Eurozona ruajti një rritje ekonomike prej 1.4% në gjysmën e dytë të vitit 2025, ndërsa SHBA pati një ecuri më të luhatshme, me përshpejtim në tremujorin e tretë dhe ngadalësim në fundvit. Treguesit paraprijës sugjerojnë një përmirësim të aktivitetit global gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, por Banka e Shqipërisë nënvizon se këta tregues ende nuk kanë reflektuar plotësisht ndikimin e përshkallëzimit të ri gjeopolitik.
Për Shqipërinë, rëndësi të veçantë ka ecuria e Eurozonës, Italisë dhe Greqisë, si partnerë të drejtpërdrejtë tregtarë dhe burim fluksesh turistike, remitancash e investimesh. Në Itali, rritja ekonomike u përmirësua në gjysmën e dytë të vitit 2025, e mbështetur nga eksportet dhe investimet, ndërsa në Greqi ritmet ishin edhe më të larta, me zgjerim të bazuar si në kërkesën e brendshme ashtu edhe në atë të huaj. Kjo do të thotë se baza e jashtme që mbështet ekonominë shqiptare mbetet, në parim, relativisht pozitive. Por, nëse tensionet gjeopolitike dëmtojnë ritmet e rritjes në këto ekonomi, efekti do të përcillej edhe në Shqipëri përmes tregtisë, turizmit dhe besimit.
Raporti trajton gjithashtu ecurinë e inflacionit ndërkombëtar. Në Eurozonë, inflacioni zbriti në 1.8% në dy muajt e parë të vitit 2026, ndërsa në SHBA ra në 2.4% në janar, i ndihmuar nga ndikimi negativ i çmimeve të produkteve energjetike. Kjo prirje ka krijuar hapësira për një qasje më pak shtrënguese të bankave qendrore, por jo për një relaksim të plotë. BQE ka mbajtur të pandryshuar normën bazë në mbledhjet e fundit, ndërsa Rezerva Federale uli normën në dhjetor 2025 dhe më pas ndaloi, për shkak të presioneve ende të pranishme mbi çmimet.
Rreziku i ri, sipas Bankës së Shqipërisë, qëndron te mundësia që ky proces i ngadalësimit të inflacionit të ndërpritet nga një goditje e re në anën e ofertës. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për një ekonomi si ajo shqiptare, e cila importon pjesën më të madhe të energjisë, lëndëve të para dhe një game të gjerë produktesh ushqimore e industriale. Çdo rritje e fortë e çmimeve në tregjet ndërkombëtare do të kishte reflektim pothuajse të menjëhershëm në kostot e brendshme.
Në këtë pikë, raporti ndalet gjerësisht te tregjet botërore të mallrave. Në tremujorin e katërt të vitit 2025, indeksi i çmimeve të lëndëve bazë vijoi rënien, i ndikuar kryesisht nga energjia dhe produktet bujqësore. Çmimi i naftës Brent u kuotua mesatarisht në rreth 63.7 dollarë për fuçi, ose 14.7% më pak se një vit më parë. Rënia vazhdoi edhe në janar dhe shkurt 2026. Por gjatë shkurtit dhe marsit, tensionet në Lindjen e Mesme sollën rritje të shpejtë të çmimeve të naftës, duke sinjalizuar se tendenca zbritëse mund të marrë fund.
Për ekonominë shqiptare, nafta mbetet një variabël shumë e ndjeshme. Ajo prek drejtpërdrejt kostot e transportit, çmimet e një pjese të mallrave të konsumit dhe pritjet inflacioniste në tërësi. Edhe pse raporti evidenton se çmimi i naftës në vend ka rezultuar relativisht i qëndrueshëm në dy muajt e parë të vitit, kjo qetësi mund të prishet nëse tensionet ndërkombëtare vazhdojnë. Një skenar i tillë do të sillte jo vetëm presione mbi inflacionin, por edhe dobësim të konsumit dhe të investimeve për shkak të rritjes së kostove.
Një tjetër kanal i rrezikut janë ushqimet. Sipas raportit, çmimet ndërkombëtare të ushqimeve ranë ndjeshëm në fund të vitit 2025, të ndikuara nga tepricat në tregjet eksportuese të produkteve si gruri, orizi dhe sheqeri. Megjithatë, në dy muajt e parë të vitit 2026, rënia u ngadalësua dukshëm, kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të lëndëve ushqimore me bazë vajore. Kjo lidhet me zgjerimin e kërkesës globale për biokarburante, një faktor që mund të mbajë të larta çmimet e disa produkteve bazë edhe në muajt në vijim. /ekofin.al

