Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri vijon të shfaqë tendenca të qëndrueshme, pavarësisht sfidave në ekonomi dhe kostove të ndërtimit. Sipas vrojtimit të posaçëm të Bankës së Shqipërisë, çmimet e banesave rezidenciale u rritën me 14.6% në gjashtëmujorin e fundit, ndërsa krahasuar me një vit më parë indeksi Fisher i çmimit të banesave shënoi një rritje të fortë prej 41.7%.
Kërkesa e përgjithshme nga blerësit vendas ka mbetur në nivele të qëndrueshme, ndërsa kërkesa nga jorezidentët ka pësuar një rënie të lehtë. Megjithatë, ky ndryshim nuk ka ndikuar në ecurinë pozitive të tregut, pasi numri i pronave të pashitura vijon të bjerë për disa gjashtëmujorë me radhë.
Një tjetër faktor mbështetës i tregut ka qenë rritja e kredisë bankare për blerje dhe zhvillim pasurish të paluajtshme. Bankat raportojnë se kushtet e kreditimit kanë mbetur të pandryshuara, ndërsa shkalla e miratimit të kredive për individët që blejnë banesa është rritur.
Nga ana tjetër, pesha e kredisë për ndërtim nuk ka ndryshuar ndjeshëm, çka sugjeron një qëndrueshmëri të financimit të sektorit.
Të dhënat e Institutit të Statistikave për tremujorin e dytë të vitit 2025 tregojnë një rënie të ofertës së njësive të banimit, si në numrin e lejeve të ndërtimit ashtu edhe në sipërfaqen e miratuar për ndërtim, krahasuar me një vit më parë.
Kjo tkurrje e ofertës shoqërohet me rritje të kostove të ndërtimit, veçanërisht për shkak të shpenzimeve më të larta për paga dhe makineri. Këto zhvillime pritet të ushtrojnë presion të mëtejshëm mbi çmimet në treg.
Rritja e çmimeve është ndjerë më fort në kryeqytet, ku kërkesa për banesa vijon të jetë më e larta në vend. Përveç blerjeve, edhe çmimet e qirave kanë shënuar rritje, duke reflektuar interesin e lartë për tregun rezidencial urban.
Agjentët e pasurive të paluajtshme mbeten optimistë si për periudhën afatshkurtër, ashtu edhe për atë afatgjatë, duke vlerësuar pozitivisht stabilitetin e tregut dhe potencialin e tij për rritje. Megjithatë, sfida të tilla si rritja e kostove të ndërtimit dhe tkurrja e ofertës mbeten faktorë që mund të ndikojnë në balancën e tregut në të ardhmen. /ekofin.al

