Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë disa iniciativa që synojnë rritjen e sigurisë dhe eficiencës së tregut vendas të pagesave, por edhe në integrimin e këtij tregu me atë Evropian, që do të sjellë lehtësi për bizneset dhe konsumatorët. Kështu u shpreh sot zëvendësguvernatore e parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, në mbledhja e nëntë vjetore e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave (KKSP) që u mbajt në ambientet e BSH-së, me pjesëmarrjen e zv/ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Endrit Yzeiraj si dhe përfaqësuesve nga Banka Botërore, Banka e Italisë dhe institucione të tjera ndërkombëtare.
“Banka e Shqipërisë ka nisur punën për anëtarësimin e Shqipërisë në Tregun Unik të Pagesave, ose njohur ndryshe SEPA, që në 2021, kur u bëmë pjesë e projektit rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”. – u shpreh Minxhozi. Ajo theksoi rolin e rëndësishëm të Komitetit Kombëtar të Pagesave në zbatimin e reformave strategjike për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE).
“Pjesëmarrja e Shqipërisë në SEPA jo vetëm që do të shënojë një hap tejet të rëndësishëm në rrugëtimin e integrimit evropian, por do të krijojë lehtësira për bizneset dhe konsumatorët shqiptarë në terma të kostos, kohës dhe thjeshtësisë me të cilën do të kryejnë transaksione ndërkufitare brenda tregut evropian. Gjithashtu ky projekt vlerësohet se do të ketë një kontribut domethënës në disa sektorë strategjikë, siç është turizmi dhe eksportet me BE, ndërkohë që pritet të ndikojë dhe formalizimin e flukseve të remitancave”, nënvizoi ajo.
Zëvendësguvernatorja u ndal në punën e Bankës së Shqipërisë për implementimin e një zgjidhjeje për pagesat e shpejta (instant payment) të cilat janë një mundësi alternative për pagesat elektronike, ndërsa sigurojnë pagesa përgjatë 24 orëve në çdo ditë të javës me kosto më të ulëta se instrumenti alternativ, kartat.
Ndërsa zv/ministri i Financave dhe Ekonomisë, Yzeiraj përshëndeti realizimin e objektivave të Strategjisë Kombëtare për Pagesat e Vogla, të cilat kanë ndihmuar në zgjerimin e përfshirjes financiare të popullsisë dhe në reduktimin e përdorimit të parasë fizike. Ai vlerësoi gjetjen e një zgjidhjeje për pagesat e shpejta, si një instrument i cili do të mundësojë zhvillimin e projekteve të tjera të ndërlidhura të qeverisë, si ai mbi zhvillimin e tregtisë elektronike, dixhitalizimit të plotë të fiskalizimit dhe dixhitalizimit të shërbimeve në e-Albania.
Më tej, mbledhja e Komitetit vijoi me prezantime dhe diskutime teknike mbi kriteret e anëtarësimit në SEPA dhe kërkesat për Shqipërinë; zbatimin e projektit mbi pagesat e shpejta; përditësimin e Sistemeve të Pagesave të operuara nga Banka e Shqipërisë dhe ecurinë e krijimit të kushteve teknike nga bankat për zbatimin e standardeve të sigurisë të kërkuara nga open banking.
