Howard Phillips, 65 vjeç, synonte të ndihmonte dy persona që mendonte se ishin agjentë rusë, por që në të vërtetë ishin agjentë të fshehtë britanikë.
Një britanik që ëndërronte të bëhej si James Bond u dënua të martën për përpjekje spiunimi për Rusinë. Howard Phillips, 65 vjeç, tentoi t’u jepte informacione dy personave që ai besonte se ishin agjentë rusë, përfshirë të dhëna mbi ish-Sekretarin e Mbrojtjes, Grant Shapps. Por kontaktet e tij rezultuan të ishin agjentë të fshehtë të shërbimeve britanike të inteligjencës.
Juria në Gjykatën e Kurorës në Winchester e shpalli Phillips fajtor për ndihmë ndaj asaj që ai besonte të ishte një agjenci e huaj inteligjence. Vendimi i jurisë ishte unanim dhe u arrit pas katër orësh diskutimi. Phillips u la në paraburgim dhe pritet të dënohet në vjeshtë, megjithëse ende nuk është caktuar një datë konkrete.
Prokuroria tha se Phillips kishte ofruar t’u jepte rusëve të dhënat e kontaktit të Shapps-it dhe vendndodhjen e avionit të tij privat, me qëllim që t’i ndihmonte të përgjonin planet britanike të mbrojtjes.
Ish-bashkëshortja e të pandehurit dëshmoi në gjykatë se Phillips “ëndërronte të ishte si James Bond” dhe shikonte filma mbi shërbimet sekrete britanike sepse ishte “i fiksuar pas tyre”.
Bethan David, drejtuese e sektorit të kundër-terrorizmit në Shërbimin e Prokurorisë së Kurorës, tha se dënimi jep një mesazh të qartë për këdo që mendon të spiunojë për Rusinë.
“Phillips veproi me guxim për përfitim financiar dhe nuk u shqetësua aspak për dëmin që mund t’i shkaktonte vendit të tij,” tha David./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

