Borxhi i papaguar ndaj administratës tatimore arriti në 194.43 miliardë lekë në fund të vitit 2025, me një rritje prej 31.9 miliardë lekësh, ose 19.6%, krahasuar me një vit më parë. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, pjesa më e madhe e detyrimeve u përket subjekteve pasive dhe borxheve të krijuara prej më shumë se pesë vitesh, duke rritur rrezikun që një pjesë e konsiderueshme e tyre të mos arkëtohet.
Sipas raportit të KLSH-së mbi zbatimin e buxhetit 2025 rezulton se stoku i borxhit tatimor u rrit nga 162.53 miliardë lekë në fillim të vitit në 194.43 miliardë lekë në fund të tij. Në të njëjtën periudhë, numri i subjekteve debitore u shtua me 10,376, duke arritur në 212,763.
Rritja e detyrimeve ka ndodhur pavarësisht se gjatë vitit administrata tatimore ka arkëtuar 34.2 miliardë lekë nga borxhet e papaguara. Megjithatë, detyrimet e reja dhe ndryshimet e tjera në stok kanë tejkaluar efektin e arkëtimeve, duke sjellë një rritje të mëtejshme të borxhit.
Mbi 65% e borxhit u përket subjekteve pasive
Nga të dhënat del se përqendrimi i borxhit te subjektet që rezultojnë pasive në regjistrat tatimorë. Rreth 125,564 subjekte pasive kanë detyrime të papaguara në shumën 127.7 miliardë lekë, ose 65.6% të stokut të përgjithshëm.
Edhe vjetërsia e detyrimeve paraqet një problem serioz për arkëtimin e tyre. Rreth 60% e borxhit tatimor është krijuar prej më shumë se pesë vitesh, ndërsa 14% i përket periudhës nga dy deri në pesë vjet. Vetëm 26% e stokut përbëhet nga detyrime me vjetërsi deri në dy vjet.
Një pjesë e konsiderueshme e borxhit lidhet me penalitetet e vendosura ndaj subjekteve. Sipas KLSH-së, 70.07 miliardë lekë, ose 36% e stokut, përbëhen nga gjoba, ndërsa 4.2% janë interesa.
Sipas llojit të tatimit, detyrimet më të mëdha janë krijuar nga tatimi mbi fitimin, me 68.97 miliardë lekë, ose 35.5% të totalit, dhe TVSH-ja, me 63.89 miliardë lekë, ose 32.9%. Së bashku, këto dy kategori përbëjnë më shumë se dy të tretat e borxhit tatimor.
Detyrimet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore arrijnë në 26.3 miliardë lekë, ose 13.5% të stokut. Nga kjo shumë, rreth 1.18 miliardë lekë u përkasin enteve publike dhe ndërmarrjeve shtetërore, të cilat gjithashtu rezultojnë me kontribute të papaguara.
Ndërkohë, rreth 67% e stokut të borxhit tatimor është përqendruar në Rajonin Qendror, ndërsa 1,422 subjekte, me detyrime prej 13.15 miliardë lekësh, rezultojnë në procese gjyqësore.
KLSH ka konstatuar se masat shtrënguese të ndërmarra nga administrata tatimore për rikuperimin e borxheve kanë qenë të kufizuara në raport me numrin e debitorëve dhe vlerën e detyrimeve. Në një pjesë të rasteve nuk janë shfrytëzuar të gjitha instrumentet e parashikuara nga legjislacioni për mbledhjen e detyrimeve të papaguara.
Sipas auditimit, përqendrimi i borxhit te subjektet pasive, vjetërsia e detyrimeve dhe mangësitë në ndjekjen e debitorëve krijojnë një rrezik të lartë për mosarkëtimin e tyre, duke kufizuar mundësinë që këto të ardhura të përfundojnë në buxhetin e shtetit./ekofin.al
