Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve ka vendosur çmimet e reja të shitjes së naftës dhe benzinës në tregun shqiptar, pas shpalljes së situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve.
Nga ora 16:00 e datës 19 shtator 2026, çmimi maksimal i shitjes me pakicë i gazoilit të standardit SSH EN 590 do të jetë 219 lekë për litër, ndërsa çmimi maksimal i shitjes me shumicë 207 lekë për litër.
Për benzinën, Bordi ka përcaktuar një çmim maksimal prej 195 lekësh për litër në shitjen me pakicë dhe 183 lekësh për litër në shitjen me shumicë.
Vendimi u mor në mbledhjen e parë të Bordit pas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16 shtator 2026, për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve.
Çmimet e reja
Nënprodukti| Shitje me shumicë| Shitje me pakicë
Gazoil SSH EN 590| 207 lekë/litër| 219 lekë/litër
Benzinë SSH EN| 183 lekë/litër| 195 lekë/litër
Çmimet do të hyjnë në fuqi sot, më 19 shtator, në orën 16:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të rishikohen në varësi të ndryshimeve në treg.
Bordi u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të çmimeve të përcaktuara. Sipas njoftimit, në rast të konstatimit të shkeljeve, mund të vendoset pezullimi i aktivitetit të operatorëve.
Masa vjen në kuadër të mekanizmit të përkohshëm të ndërhyrjes në tregun e hidrokarbureve, të mbështetur në legjislacionin për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, si dhe në ndryshimet e fundit në legjislacionin për akcizat./ekofin.al
