Çmimi i naftës në tregun shqiptar ulet me 1 lek për litër, duke zbritur nga 213 lekë në 212 lekë. Çmimi i ri maksimal është miratuar nga Bordi i Transparencës në mbledhjen e sotme dhe hyn në fuqi në orën 15:00. Ndërkohë, çmimi maksimal i benzinës është përcaktuar në 181 lekë për litër.
Sipas vendimit të fundit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë të gazoilit, sipas standardit SSH EN 590, do të jetë 212 lekë për litër, nga 213 lekë që ishte në vendimin e mëparshëm të Bordit të Transparencës.
Ndërkohë, çmimi maksimal i shitjes me shumicë të naftës është përcaktuar në 200 lekë për litër.
Për benzinën, Bordi ka vendosur një çmim maksimal të shitjes me pakicë prej 181 lekësh për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë do të jetë jo më shumë se 169 lekë për litër.
Vendimi është marrë në zbatim të aktit të qeverisë për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve, të miratuar më 16 shtator 2026, si dhe kuadrit ligjor për kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit të karburanteve.
Bordi i Transparencës ka rikujtuar se të gjithë operatorët e tregtimit me shumicë dhe pakicë janë të detyruar të respektojnë çmimet maksimale të përcaktuara.
Në rast të konstatimit të shkeljeve, ndaj operatorëve që nuk zbatojnë vendimin parashikohet pezullimi i aktivitetit. /ekofin.al
