Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur një ndryshim në skemën e bonusit të bebeve, përmes së cilës familjet shqiptare do të përfitojnë një mbështetje financiare mujore për çdo fëmijë të porsalindur, për një periudhë pesëvjeçare.
Sipas skemës së prezantuar nga Rama, masa e përfitimit do të ndryshojë në varësi të rendit të lindjes së fëmijës në familje. Skema e re parashikohet të hyjë në fuqi më 1 korrik 2027.
Për fëmijën e parë, pagesa do të jetë 5,000 lekë në muaj, që përkthehet në 300 mijë lekë gjatë pesë viteve. Për fëmijën e dytë, mbështetja rritet në 7,000 lekë në muaj, ose 420 mijë lekë në total. Ndërsa për fëmijën e tretë, familjet do të përfitojnë 10,000 lekë në muaj, duke arritur në 600 mijë lekë përgjatë pesë viteve.
Ndryshe nga një pagesë e vetme, skema e prezantuar parashikon shpërndarjen e mbështetjes në këste mujore, duke e shtrirë përfitimin përgjatë pesë viteve të para të jetës së fëmijës.
Njoftimi i kryeministrit vjen pas deklarimeve të ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, e cila një ditë më parë bëri të ditur se në Buxhetin 2027 është parashikuar rishikimi i skemës së bonusit të bebeve dhe kthimi i saj në mbështetje mujore për fëmijët deri në moshën pesë vjeç, me fokus familjet me të ardhura të ulëta./ekofin.al
