Protestat e fermerëve në Greqi kanë hyrë në një fazë të re tensioni, duke shkaktuar pengesa serioze në qarkullimin rrugor, pranë kufirit me Shqipërinë.
Autoritetet e Policisë Kufitare në Kakavijë njoftuan këtë të shtunë se janë vënë në dijeni nga pala greke për bllokimin e një segmenti të rëndësishëm rrugor në territorin fqinj.
Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 19:00 deri në 22:00 (ora lokale greke), aksi Kakavijë–Janinë, konkretisht në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë plotësisht i bllokuar për shkak të protestës së organizuar nga fermerët grekë.
Greqia është paralizuar nga protestat e fermerëve të cilët kanë bllokuar akset kombëtare për vonesat me dhënien e subvencioneve të BE-së pas një skandali korrupsioni.
Autoritetet kufitare bëjnë të ditur se qarkullimi do të lejohet vetëm për automjetet që paraqesin emergjenca shëndetësore, ndërsa të gjitha mjetet e tjera duhet të shmangin zonën gjatë intervalit të bllokimit.
Policia kufitare shqiptare u bën thirrje qytetarëve që planifikojnë udhëtim drejt Greqisë të marrin parasysh vonesat e mundshme dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve deri në normalizimin e situatës.
