Qeveria po përgatit një tjetër hap në përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, këtë herë në fushën e tregtisë elektronike. Një projektligj i ri propozon ndryshime në ligjin “Për tregtinë elektronike”, duke vendosur për herë të parë rregulla të qarta kundër praktikave të pajustifikuara të “geo-blocking”, ose bllokimit gjeografik, që kufizojnë aksesin e konsumatorëve në mallra dhe shërbime online vetëm për shkak të shtetësisë apo vendbanimit të tyre.
Nisma synon të harmonizojë legjislacionin shqiptar me Rregulloren (BE) 2018/302, një nga aktet kryesore të tregut të brendshëm europian, duke garantuar trajtim të barabartë për konsumatorët në transaksionet elektronike ndërkufitare. Sipas relacionit shoqërues, miratimi i këtyre rregullave është gjithashtu pjesë e angazhimeve që lidhen me procesin e integrimit europian dhe mbylljen e Kapitullit 10, “Transformimi Digjital dhe Media”.
Projektligji ndalon që tregtarët të bllokojnë ose kufizojnë aksesin e përdoruesve në faqet e tyre të internetit apo aplikacionet vetëm për shkak të vendbanimit ose shtetësisë. Gjithashtu, nuk do të lejohet ridrejtimi automatik i klientëve drejt një versioni tjetër të faqes, me çmime ose kushte të ndryshme, pa pëlqimin e tyre të shprehur. Përjashtim do të ketë vetëm kur kufizimi kërkohet nga detyrime ligjore, rast në të cilin tregtari duhet të japë një shpjegim të qartë për arsyet e vendimit.
Me rëndësi është edhe aksesi në mallra dhe shërbime. Projektligji ndalon vendosjen e kushteve të ndryshme të shitjes për klientët vetëm për shkak të shtetësisë ose vendit ku janë të vendosur. Kjo do të thotë se një konsumator nuk mund të diskriminohet kur blen mallra që tregtari i ofron për dorëzim në një territor të caktuar, kur përdor shërbime elektronike apo kur përfiton shërbime në një vend fizik ku operon tregtari. Megjithatë, ligji nuk i detyron bizneset të shtrijnë aktivitetin apo dërgesat në çdo shtet, por vetëm ndalon trajtimin e ndryshëm kur ai nuk ka një bazë objektive.
Ndryshimet prekin edhe mënyrën e pagesave. Tregtarët nuk do të mund të refuzojnë ose të vendosin kushte të ndryshme për pagesat elektronike vetëm sepse karta bankare, llogaria apo ofruesi i shërbimit të pagesës ndodhet në një shtet tjetër të Bashkimit Europian, për sa kohë plotësohen kushtet ligjore për kryerjen e transaksionit.
Për të garantuar zbatimin e rregullave të reja, projektligji përcakton se autoritetet përgjegjëse sipas ligjit për mbrojtjen e konsumatorit do të mbikëqyrin respektimin e dispozitave për geo-blocking, ndërsa pikat e kontaktit ZAM do të ofrojnë ndihmë praktike për konsumatorët në rast mosmarrëveshjesh me tregtarët. Shkeljet e rregullave të reja do të përfshihen gjithashtu në regjimin e sanksioneve administrative të ligjit për tregtinë elektronike.

