Në takimin “Cashless Albania”, Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe CEO i OTP Bank Albania, Bledar Shella, shprehu mbështetje të plotë për hapat e prezantuar nga Qeveria dhe Banka e Shqipërisë, duke theksuar se sektori bankar është i përgatitur të kontribuojë fuqishëm në transformimin e tregut drejt pagesave pa para fizike dhe modernizimit financiar të vendit.
“Vizioni i paraqitur për kalimin gradual drejt një ekonomie gjithnjë e më digjitale është plotësisht në linjë me strategjinë e re të bankave dhe me angazhimet që sektori ka marrë për të përshpejtuar inovacionin në pagesa. Shumica e hapave të prezantuar janë pozitivë dhe tashmë po jepen rezultate konkrete, sidomos në kuadër të open banking dhe integrimit të Shqipërisë në zonën SEPA, ku të gjitha bankat janë operative dhe po shfaqen qartë përfitimet për qytetarët dhe bizneset, përmes rritjes së transfertave dhe uljes së kostove,” theksoi Shella.
Kreu i Shoqatës së Bankave vuri në dukje se puna për implementimin e shërbimeve të Instant Payments ka avancuar ndjeshëm dhe shpresohet që në mes të vitit të ardhshëm bankat të jenë plotësisht të harmonizuara me kërkesat teknike dhe operacionale. Ky zhvillim pritet të sjellë një revolucion në mënyrën se si kryhen pagesat brenda vendit, duke rritur shpejtësinë, sigurinë dhe efikasitetin e transaksioneve.
Në fjalën e tij, ai ndaloi edhe te çështja e përdorimit të parasë fizike, duke theksuar se Shoqata e Bankave mbështet qëllimin për reduktimin e cash-it në ekonomi dhe se kjo mund të ndërmerret edhe duke ulur gradualisht tavanin e pagesave me para në dorë.
Sa i përket zgjerimit të pagesave elektronike, Shella vuri në dukje se edhe pse numri i POS-ve në vend mbetet ende i ulët, gjatë këtij viti është regjistruar një rritje domethënëse. Ai e konsideroi të drejtë dhe në kohë propozimin që çdo biznes të jetë i detyruar të ofrojë të paktën një metodë alternative pagese, duke e quajtur këtë një hap që do të nxisë konkurrencën, transparencën dhe formalizimin, si dhe do të rrisë në mënyrë të qëndrueshme numrin e pajisjeve POS në treg.
Kreu i Shoqatës së Bankave theksoi se i gjithë sektori bankar është plotësisht i hapur dhe bashkëpunues në këtë proces transformues, sepse përfitimet janë të përbashkëta: për bankat, për biznesin, për qytetarët dhe për ekonominë në tërësi.
Në këtë kontekst, Shella konfirmoi se sektori bankar do të vijojë të investojë në teknologji, siguri kibernetike, edukim financiar dhe zhvillimin e infrastrukturës së pagesave, duke mbështetur plotësisht synimin për një Shqipëri më të digjitalizuar, më transparente dhe më konkurruese deri në vitin 2030. /ekofin.al
